Reagon LDK: U sulmuam nga ata që po përdorin koktej molotovi në institucione

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmet vandale mbi selinë qendrore të LDK-së në Prishtinë, zyrat e LDK-së në Gjakovë, Istog dhe në Kodër të Trimave, të kryera gjatë natës së sotme nga persona tash për tash të panjohur për organet e rendit.

Lajme

28/02/2016 00:01

Ky subjekt i konsideron këto akte të dhunshme vepër të njerëzve të cilët po përpiqen me çdo kusht dhe çdo mjet të zhysin vendin në kaos dhe anarki, duke sulmuar me molotovë institucione publike, prona private, duke djegur makina të familjarëve të përfaqësuesve institucionalë dhe tashmë duke sulmuar edhe selitë e partive shtetformuese, raporton lajmi.net

“Ky sulm mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës është i drejtuar mbi parimet dhe veprimtarinë institucionaliste si dhe vlerat demokratike perëndimore, të cilat tash e 25 vjet përfaqësohen pa asnjë kompromis nga LDK-ja. Lidhja Demokratike Kosovës i bën thirrje eksponentëve politikë të partive opozitare, të cilët tash e sa ditë po fyejnë, denigrojnë dhe linçojnë figura të respektuara dhe deputetë të LDK-së, që të ndalin diskursin ofendues dhe nxitjen e dhunës e të veprimeve kriminale”, thuhet në reagimin e tyre.

Kjo parti ka ftuar organet kompetente, që në përputhje të plotë me ligjet, të ndriçojnë këto akte të ulëta banditeske dhe të nxjerrin para drejtësisë kryesit e tyre./ Lajmi.net