LDK thotë se “pakica e ka uzurpuar Parlamentin”, kërkon përsëri zgjedhje të reja

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë arsyet e saj për mos-votimin në seancat e Kuvendit.

Lajme

19/07/2018 15:05

Me një komunikatë për media është bërë e ditur se LDK-ja nuk do ta përkrahë më këtë qeveri, pasi sipas tyre ata e kanë uzurpuar Parlamentin.

“Seanca e Kuvendit të Kosovës sot u ndërpre në mungesë të shumicës parlamentare. Në fakt, ky koalicion asnjëherë nuk ka pasur shumicë në Kuvendin e Kosovës, përveç ditës kur u zgjodh Qeveria. Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore”, thuhet në njoftim.

Tutje kjo parti vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia. Gjuha e ashpër dhe fyese e koalicionit të pakicës ndaj partive opozitare e thellon më tutje krizën institucionale. Ne ftojmë për përgjegjësi politike dhe institucionale nga të gjithë. Ne do të punojmë me të gjitha forcat politike opozitare dhe forcat e tjera progresive në Kuvendin e Kosovës që të dalim nga kjo krizë institucionale, vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve të lira”, përfundon komunikata e LDK-së.

Ndryshe seanca e sotme e Kuvendit u shty pasi deputetët e opozitës nuk votonin ligjet e mbetura nga seancat e kaluara. /Lajmi.net/