LDK optimiste: Nëse vendi shkon në zgjedhje ne do të dalim të parët

Lidhja Demokratike e Kosovës po pretendon se do të dalë fituese nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

16/10/2018 19:47

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, është shprehur i bindur se subjekti i tij do të dalë fitues nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, raporton lajmi.net.

Këto komenti Beqiri i bëri në takimin e Kryesisë së LDK-së me strukturat e degëve në komunën e Malishevës.

Njoftimi i plotë i LDK-së pa ndërhyrje:

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vazhduar takimet e Kryesisë me strukturat e degëve në Malishevë.

Të pranishëm prej anëtarëve të kryesisë ishin, Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, Vlora Dumoshi, Arban Abrashi,Anton Quni, Naser Osmani, Lutfi Zharku dhe deputeti Driton Selmanaj.

Takimin e hapi kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, i cili theksoi përkrahjen e degës së LDK-së në Malishevë për të gjitha qëndrimet e LDK-së.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri përcjelli fjalën e kryetarit Mustafa për të gjitha çështjet aktuale, dialogun me Serbinë, qëndrimin e LDK-së kundër korrigjimit të kufijve, formimin e Forcave të Armatosura, liberalizimin e vizave dhe çështjet aktuale në vend të cilat tashmë janë të njohura për opinionin.

Beqiri ka thënë se LDK është e unifikuar dhe në momentin që vendi shkon në zgjedhje, LDK do të dalë e para.

Ai ka thënë që përmes këtyre takimeve LDK është më afër elektoratit”, thuhet në njoftimin për media.

Lutfi Zharku ka thënë që takimet po mbahen për dy qëllime, qëndrimet e LDK-së për çështjet aktuale dhe e dyta për zgjedhjet sepse LDK është duke punuar për ta dërguar vendin në zgjedhje.

Zharku gjithashtu ka folur për qeverisjen Mustafa duke theksuar të gjitha sukseset e qeverisjes së LDK-së dhe duke shprehur nevojën që LDK-ja duhet të jetë prapë në qeverisje, si nevojë e patjetërsueshme për vendin.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë që dega e Malishevës ka ide dhe opinione të shëndosha të cilat janë vlera të mëdha për LDK-në.

Ndërsa, Fetah Rudi tha se LDK-ja çdoherë ka qenë e fortë, ka tejkaluar sfida shumë të mëdha por që në fund ka dalë e para gjithmonë.

Gjatë takimit dega ka shprehur disa kërkesa për kryesinë e LDK-së, por gjithashtu janë diskutuar edhe mangësi dhe sfida të strukturës së degës në Malishevë që në të ardhmen degën do ta bëjnë më të fortë dhe do ta nxjerrin fituese. /Lajmi.net/