LDK-AKR ia shuajnë shpresat PAN-it: Nuk jemi pjesë e asnjë qeverie ku është edhe PDK-ja

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.

Lajme

12/06/2017 15:54

“Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi. Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit”, thuhet në komunikatën e koalicionit.

Nga ky takim është vendosur që të mos hyjnë në asnjë koalicion pjesë e të cilit është PDK-ja.

“Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja. LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet. Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion”, bëhet e ditur në komunikatë. /Lajmi.net/