Lavdrim Muhaxheri nuk e dogji pasaportën e tij, ai mashtroi (Video)

Njeriu që po konsiderohet si lider i luftëtarëve shqiptarë të të vetëquajturit Shteti Islamik, Lavdrim Muhaxheri, nuk e ka shqyer e as djegur pasaportën e tij, pavarësisht se për diçka të tillë, siç duket në një xhirim, fton njerëzit që i ka përkrah. 

Lajme

12/12/2014 21:47

Këtë po e thotë një hetues i lartë ndërkombëtar i luftimeve në Siri e Irak, që për Klan Kosovën flet me kushtin e anonimitetit.

“Ky individ nuk e ka shqyer pasaportën e tij, sepse ne vetëm pak kohë më vonë e kemi gjetur atë. Kështu, unë do të thosha se ai ka lozur një lojë mashtrimi, me qëllim që ta ketë mundësinë e ikjes”.

Për këto pohime, hetuesi që më herët ishte marrë edhe me Kosovën, ka siguruar edhe dëshmi se pasaporta e njeriut që kërkohet edhe nga Interpoli është e padëmtuar, bashkë me dokumentet tjera identifikuese të tij, si letërnjoftimi e patenta e shoferit.

Në fotografi shihen edhe faqet tjera të pasaportës së Muhaxherit, bashkë me vulat e vizat e marra, gjatë lëvizjeve të tij. Njëra vizë është e vendeve të Shengenit, derisa tjetra e ShBA-ve. E, disa nga vulat janë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Duke iu referuar xhirimeve të shumta e deklaratave ku paraqitet Muhaxheri, hetuesi thotë se ai është shumë aktiv në paraqitjet propaganduese të Shtetit Islamik, por edhe njeri fort i dhunshëm.

Ky hetues thotë se luftëtarët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, që drejtohen nga Muhaxheri, nuk kanë pozita të larta në hierarkinë e Shtetit Islamik. Kështu që nuk është se mund të fitojnë shumë as nga pagat që i marrin e as nga prona e uzurpuar si plaçkë lufte.

“Luftëtarët, qofshin ata kosovarë apo sirianë, marrin paga fikse, që janë relativisht të vogla. Por, ato dallojnë edhe nga fakti nëse luftëtari ka me vete një grua, dy, apo edhe për nga numri i fëmijëve”.

Pavarësisht fitimeve, ky hetues e ka një porosi për gjithë këta kosovarë: “Nuk ka rëndësi se çfarë marrin, qofshin ato edhe diamante, se nuk u duhen gjë kur vdesin. Por, edhe nëse mbijetojnë me diamantet, janë kriminelë dhe autoritetet kosovare e ato ndërkombëtare do t’i ndjekin, kështu që kurrë nuk do të jenë të lirë”.

25-vjeçari me prejardhje nga Kaçaniku, është lider i një grupi prej rreth 100 luftëtarësh nga shtetet me shumicë shqiptare. Një numër jo i vogël i tyre janë vrarë në luftime. Ndërkohë, shteti i Kosovës, që është bërë pjesë e koalicionit anti-ISIS, është në proces të miratimit të ligjit me të cilin i dënon me 15 vjet burgim ata që bëhen pjesë në luftëra të huaja. /Klan Kosova/