Las Palmitas, lagje në ngjyra paqeje (Foto, Video)

Lagjja piktoreske Las Palmitas, në qytetin meksikan Pachuca de Soto, para pak kohësh ka përjetuar periudhën shumë të errët të historisë së vet.

Fun

11/12/2017 13:11

Las Palmitas ka qenë vend shumë i rrezikshëm për të jetuar, vend i konflikteve të ashpra të bandave rivale.

Për ta bërë këtë lagje dikur me nam të keq vend më të bukur dhe më të këndshme për të jetuar, pushteti lokal ka iniciuar projektin “Pachuca ngjyros veten”, transmeton Telegrafi.

Në realizimin e këtij projekti kanë marrë pjesë të gjitha familjet e Las Palmitasit, lagje me më shumë se 200 shtëpi.

Ndër to kanë qenë edhe anëtarët e bandave të cilët kanë jetuar në atë lagje.

Për ngjyrosjen e aq shumë shtëpive dhe pikturimin e muraleve në to janë përdorur afërsisht 20.000 litra ngjyrë.

Sot të gjitha shtëpitë njësoj përbëjnë një mural të madh të ngjyrave të ylberta, të cilat paraqesin homazhin e nofkës të cilën e bart Pachuca – “La bella airosa” (qytet i bukur në freski).

Pushteti thekson që jeta e banorëve të Las Palmitasit është përmirësuar, ndërkaq shkalla e kriminalitetit në lagje është zvogëluar, që kur ajo merr frymë me freskinë e larmisë së vet të re.