Kuvendi rrëzon propozimin e VV-së, nuk diskutohet për ngjarjet në Kumanovë

Deputet e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, që në seancën e sotme plenare të diskutohet për atë se çfarë ka ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë.

Lajme

14/05/2015 11:40

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjofuca, duke paraqitur kërkesën për debat, ka thënë se është e nevojshme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për atë se çfarë ka ndodhur në Maqedoni.

Por, ky propozim nuk është përkrahur nga dy partitë në koalicion PDK dhe LDK, me arsyetimin se ende nuk kanë informata të sakta se çfarë është duke ndodhur.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se dënojnë dhunën e tepruar në Maqedoni, por se në mungesë informatash më të sakta për atë që ka ndodhur në Kumanovë, nuk mund ta përkrahin propozimin e Vetëvendosjes që kjo çështje të diskutohet në seancën e sotme parlamentare.

Duke u shprehur ngushëllime familjarëve të të humburve, edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo temë nuk mund të diskutohet për arsye të paqartësive që ende ekzistojnë për atë që ka ndodhur në Kumanovë.

Kurse shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se nuk ka arsye që të mos diskutohet. Ajo ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni i cili ditë më parë ka thënë se ka informata për atë se çfarë ka ndodhë gjatë ditës së shtunën dhe të dielën e javës së kaluar në Kumanovë të Maqedonisë, të tregoj para deputetëve.

Propozimi i Vetëvendosjes për të diskutuar për situatën në Kumanovë, mori 50 vota kundër, 28 për dhe 5 abstenime.

Ditë më parë, në një përleshje të armatosur, u vranë 14 persoan dhe tetë policë maqedonas. Disa prej personave të vrarë, që ishin pjesë e grupit të armatosur, ishin shtetas të Republikës së Kosovës. /lajmi.net/