Kuvendi në pushim pa përfunduar as gjysmën e planit legjislativ

Kuvendi i Kosovës të hënën ka mbajtur seancën e fundit për sesionin pranveror, në të cilin ka përmbushur vetëm 33 nga 148 projektligjet e planifikuara (22% e planit legjislativ).

Lajme

01/08/2018 09:48

Në procedurë të miratimit janë 56 projektligje, ndërsa në pritje janë 59 projektligje tjera. Sesioni tjetër i Kuvendit fillon në pjesën e dytë të shtatorit.

Kuvendi i Kosovës në sesionin pranveror ka përmbushur vetëm 22% të agjendës së tij, ose vetëm 33 nga 148 projektligjet e planifikuara për këtë vit.

Organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit thonë se nuk presin punë më të madhe as në sesionin vjeshtor që fillon pas një muaji e gjysmë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ngecja e punës vërehet edhe te komisionet parlamentare ku 40% e projektligjeve nuk janë përgatitur fare, ndërkaq ka komisione që kanë mbajtur vetëm gjashtë mbledhje. E për këtë gjendje pozita kosovare ka fajësuar opozitën, e cila me vendimin për bojkotim është duke i shkaktuar dëme vendit.