Kushtetuesja pezullon Asociacionin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta pranojë kërkesën e Presidentes për interpretim të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gjykata ka vendosur masë të përkohshme – pezullimin e kësaj marrëveshje deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e këtij institucioni.

Lajme

10/11/2015 18:06

Ky vendim është publikuar pak çaste më parë në web-faqen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Burime të Express thonë se kjo masë do të vlejë deri në fillim të janarit, kur Gjykata do të marrë vendim “për” ose “kundër” marrëveshjes për Asociacionin.

Gjatë muajit nëntor, sipas burimeve të Gazetës Express, do të intervistohen dhe do të konsultohen palët e marrëveshjes dhe këshilltarët e jashtëm.

Lexojeni këtu vendimin e plotë të Gjykatës.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme në rastin KO130/15, në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës “Lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 [Barazia para Ligjit], Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre “parimeve të përgjithshme/elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës.