Kush janë xhihadistët shqiptarë që u shfaqën në videon e ISIS-it

Një ditë më parë në një video shfaqeshin anëtarë shqiptarë të ISIS që kërcënonin bashkëvendasit e tyre. Dhe një prej tyre që shfaqet në video është Almir Daci. Por, kush është Almir Daci?

Lajme

05/06/2015 10:33

Mësohet se ai është me origjinë nga fshati Leshnic i Pogradecit dhe rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe rekrutim të personave të ndryshëm.

Për herë të parë, publikisht emri i Almir Dacit u përmend nga të afërm të Denis Hamzajt. Pikërisht këtij të riu nga Pogradeci që humbi jetën një vit më parë në Siri.

Mësohet se Denisi ishte shkolluar në Itali, por të afërm të Hamzajt në atë kohë bënë përgjegjës për vrasjen e Denisit imamin e xhamisë së fshatit Leshnic, Almir Dacin. Denis Hamzaj, ishte ndër personat e parë të larguar drejt Sirisë për të luftuar dhe mori me vete edhe familjen.

Pak muaj pasi mori pjesë në luftime dyshohet se Almir Daci kishte njoftuar një të afërm të Denis Hamzajt se ai ishte vrarë, por pa dhënë detaje si, ku dhe kur. Për momentin nuk ka asnjë informacion as për bashkëshorten dhe fëmijën e Hamzajt.

Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sipas Mapos, rezulton se Daci ka luajtur rol aktiv në rekrutimin e të rinjve drejt Sirisë.

Gjithashtu Daci njihet edhe si një prej personave që ka influencë në strukturat e organizatës terroriste ISIS.