Kush është pjesëtari i grupit të Kumanovës i arrestuar nga Policia e Kosovës

Në bazë të urdhër - arrestit ndërkombëtarë të lëshuar nga Maqedonia, Policia e Kosovës ka arrestuar Sulejamn Osmanin, i cili dyshohet të jetë përfshirë në rastin e Kumanovës. Kështu konfirmon Policia e Kosovës për lajmi.net.

Lajme

07/07/2015 19:18

“Personi i dyshuar është arrestuar në një shtëpi banimi në fshatin Letnic të Komunës së Vitisë. Tek personi i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një revole TT me disa municion. Të gjitha veprimet policore janë kryer në koordinim me prokurorin kompetent”, tha Baki Kelani.

Ndryshe, Osmani që njihej si Komandant Sula, është personi i vetëm që ka arritur të arratiset nga duart e Policisë së Maqedonisë pas ngjarjeve të Kumanovës, raporton lajmi.net.

Madje, pati deklaruar se i gjallë asnjëherë nuk do të bjerë në duart e Policisë maqedonase.

Derisa ishte i fshehur, për RTK-në pati deklaruar se grupi i armatosur nuk kishte qëllime materiale. Sipas tij, qëllim kishin krijimin e shtetit shqiptar brenda Maqedonisë, i njëjti model si Republika Serbe në Bosnjë.

Osmani ka thënë se grupi i luftëtarëve është më shumë se 2 mijë veta.

Thoshte se nuk janë dorëzuar në mungesë të municionit, por se njëri nga shokët kishte folur me telefon dhe se i kishte thënë se në Lagjen e Trimave janë edhe përfaqësuesit e OSBE-së.

“Ne menduam se OSBE po na merr në dorë e jo policia. Po ta kishim ditur nuk do të ishin dorëzuar, por do të qëndronin aty deri sa të vriteshin”, ka thënë ai.

Pas arrestimit ai ishte detyruar të tregonte vendin e fshehjes së armëve në Goshincë ku më pastaj kishte ikur maleve.

Osmani gjithashtu ka deklaruar se Mirsad Ndrecajn e ka parë të plagosur në momentin kur janë arrestuar, por që nuk di më shumë se çka ka ndodhur me të.

Por, derisa ishte në kërkim ai pretendonte se arsyeja që është në shënjestër të organeve të ndjekjes, është pjesëmarrja në luftën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë. Ka thënë se vëllanë e ka të vrarë në luftën e Kosovës.

Osmani kur doli lajmi se ka ikur nga duart e Policisë u quajt edhe spiun, i cili tradhtoi komandantët nga Kosova të cilët u arrestuan nga policia maqedonase në lagjen e Trimave në Kumanovë.

Një përgjigje e Osmanit me fjalët “Mirë ama ai armatimi mua më shpëtoj”, që e ka fjalën për zbulimin e armëve në Malinë para policisë, vëri në dyshim se ky ka qenë bashkëpunëtorë i policisë maqedonase.

Madje, u vë në dyshim se është spiun edhe kur tha se u ka ikur para syve 30 pjesëtarëve të policisë së Maqedonisë, ngase, kur ka ikur kishte edhe pranga në duar.

Osmani ndër të tjera, pati garantuar se gjatë sulmit në Kumanovë ka civilë të vrarë, por që rezultoi se në atë aksion në Kumanovë nuk pati asnjë civil të vrarë.

E kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pati hedhur dyshime për të arratisurin.

Ka thënë se nuk e njeh atë por se ka qenë i arrestuar në vitin 2001 nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Ai ka deklaruar se Osmani gjendet në Kosovë.

Sulejman Osmani (rreth 60-vjeç) është nga fshati Bërnjarc i Haraçinës, e që është konfirmuar se ka shtëpi edhe në fshatin malor Brezë.(lajmi.net)