Kusari-Lila: Pakënaqësia e qytetarëve sot u kthye në instrument të politikës

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, që në komunën të cilën e udhëhqeqë ajo, u mbajt ditë më parë protestë paqësore me dhjetëra mijëra pjesëmarrës, thotë se në protestën e mbajtur sot në Prishtinë nuk u mbrojt prona e Kosovës por u dëmtua ajo.

Lajme

24/01/2015 22:17

Kusari – Lila thotë se pakënaqësia e qytetarëve e nxitur nga shumë arsye të mirëfillta, nuk bën të kthehet në instrument të partive politike për të realizuar qëllimet e tyre. 

Sipas saj, dhuna nuk e justifikon gjuhën e përdorur e as veprimet e gabuara të Qeverisë së Kosovës.

Reagimi i plotë i Kusari – Lilës: 

Pamjet e xhamave të thyer të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, thyerjet e lokaleve dhe aseteve të tyre në qendër të Prishtinës nuk janë rruga që do të qojë drejt shkarkimit të Jabllanoviqit apo ndryshimit të ligjit të Trepçës. 

Dhuna nuk e justifikon gjuhën e përdorur dhe as veprimet e gabuara të Qeverisë së Kosovës. 

Në të kundërtën, ata që thyen dhe dëmtuan, do ja zgjasin mandatin atyre që nuk duan ti shohin në Qeveri.

Pakënaqësia e qytetarëve e nxitur nga shumë arsye të mirëfillta, nuk bën të kthehet në instrument të partive politike për të realizuar qëllimet e tyre.

Pamjet e sodit përballë Grevës së Minatorëve dhe lotëve të Nënave të të pagjeturëve nuk shkojnë bashkë.

Andaj, distancimi nga pamjet e shëmtuara të dhunës së shkaktuar dhe apeli për qetësi është hapi i radhës për të gjithë që duan drejtësi në Kosovë.

Sot nuk u mbrojt prona e Kosovës por u dëmtua ajo.

E drejta e protestës është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, por ndryshimet në Kosovë duhet të paraprihen me procese demokratike dhe rrugë institucionale.