Kurz javën e ardhshme në Kosovë e Maqedoni për ekstremizmin islamik

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastjan Kurz, do të arrijë për një vizitë tre ditore në Kosovë e Maqedoni. Siç raportohet në mediat austriake, Kurz këtë vizitë do ta shfrytëzojë të diskutojë me përfaqësues shtetërorë dhe ata fetar lidhur me “rrezikun nga xhihadistët dhe radikalizmi në Ballkanin Perëndimor”. 

Lajme

17/01/2015 13:07

Austria qe një kohë të gjatë shërben si një qendër e ekstremistëve islamikë, të cilët përmes Ballkanit Perëndimor pretendojnë të udhëtojnë në Siri apo Irak.

Kurz të hënën, gjatë arritjes në Prishtinë, do të ketë takim me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjagen, Ministrin e Brendshëm Skënder Hysenin, si dhe me përfaqësues të bashkësive fetare në vend, transmeton lami.net.

Së bashku me presidenten Jahjaga, ministri i jashtëm austriak do të marrin pjesë në hapjen e një ekspozite në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Të martën Kurz do të takohet me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçin si dhe me kryeministrin Isa Mustafa.

Më pas, ai do të udhëtojë për në Maqedoni, ku do të takohet me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin.

Vizitën e tij në Maqedoni, Kurz do ta vazhdojë deri të mërkurën, kur do të takohet me shefin e diplomacisë së këtij shteti, Nikola Poposki-n dhe kryeministrin Nikola Gruevski, si dhe me përfaqësues opozitarë.