Kur do t’ju kthehet Isa Mustafa aktiviteteve politike, tregon ish-këshilltari i tij

Ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ende nuk dihet se kur do t’ju kthehet aktiviteteve politike në terren.

Lajme

10/04/2018 16:54

Mustafa që qëndroi afër tre muaj në Gjermani për shërim, të dielën është kthyer në Kosovë. Edhe pse sipas zyrtarëve të LDK-së, gjendja tij shëndetësore është përmirësuar, ende nuk dihet se kur Mustafa do të dalë në teren për ta ushtruar funksionin e kryetarit të partisë.

Ish-këshilltari në qeveri, Bajram Gecaj, ka thënë për lajmi.net, se dalja në teren e Mustafës varet nga terapitë që i janë caktuar nga mjekët.

Gecaj ka thënë se kryetari i tyre edhe sa ka qenë në Gjermani është konsultuar vazhdimisht për vendimet e rëndësishme që ka marrë LDK dhe se do të vazhdojë të njëjtë gjë.

“Mustafa edhe sa ka qenë në Gjermani, kryesia e LDK-dhe strukturat e saj janë konsultuar më të dhe ato konsultime do të vazhdojnë edhe tash. A do të dalë në teren ajo, varet prej terapisë që ja kanë dhënë mjekët”, është shprehur Gecaj për lajmi.net.

Mustafa ishte dërguar në Gjermani në mesin e muajit janar, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku po mjekohej në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Ishte raportuar se kryetari i LDK-së është prekur nga sindroma “Guillain-Barré syndrome”. Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lërë pasoja.

Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik./Lajmi.net/