Kundërshton lejimin e vizitave

Vetëvendosje thotë se lejimi i Ivica Dacicit që të marrë pjesë në fushatën elektorale në Kosovë është në kundërshtim me logjikën normale të marrëdhënies mes shteteve sovrane.

Lajme

08/10/2013 13:28

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë të Serbisë në Kosovë

Vetëvendosje thotë se pjesëmarrja e Dacicit në fushatën elektorale në Kosovë është në kundërshtim me logjikën normale të marrëdhënies mes shteteve sovrane.

Hashim Thaçi ia lejoi Serbisë që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë. Kjo marrëveshje e mori formën e vet përfundimtare mbrëmë në takimin mes Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorit të tij Ivica Dacicit, ku Thaçi u pajtua me insistimin e Dacicit që të jetë pjesë e fushatës zgjedhore në Kosovë”.

“Një kryeministër i një vendi merr pjesë në fushatën elektorale në dhe brenda vendit të vet. Pjesëmarrja e Dacicit në fushatën elektorale në Kosovë është në kundërshtim me këtë logjikë normale të marrëdhënies mes shteteve sovrane. Ose, për më keq, e thotë të kundërtën, pra e ravijëzon të ardhmen politike të Kosovës”.

“Marrëveshja antishtetërore dhe antikushtetuese e 19 prillit përfundimisht i hapi rrugë formalizimit dhe legalizimit të pranisë ekzekutive të Serbisë në Kosovë. Kjo prani e shndërroi Serbinë në faktor vendimmarrës në çështjet politike e ekonomike të Kosovës, duke e dyzuar kështu sovranitetin mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Vetëvendosjes, asnjë vendim politik e institucional i Kosovës, që prej asaj marrëveshjeje, nuk mund të bëhet fuqiplotë pa qenë njëkohësisht i pranueshëm për Serbinë.

“Kështu, rrjedhimisht, Serbia vendosi për datën e zgjedhjeve lokale, Serbia vendosi për listën përfundimtare të votuesve (duke i shtuar kundërligjshëm 12 mijë votues të rinj nga Serbia pa kurrfarë dokumentacioni përkatës)”.

“Serbia vendosi për listën përfundimtare të subjekteve që garojnë duke i shtuar listat e përbashkëta, Serbia vendos për rregullimin e tregut të telekomunikacionit, duke e legalizuar ndërhyrjen e kompanive të saj në tregun e brendshëm, pastaj të energjisë duke krijuar kompani të re brenda Kosovës, Serbia vendos për komandantin e policisë, për gjykatat dhe lëndët e trajtuara në to”.

“Serbia po vendos për dukjen e dokumenteve zyrtare të Kosovës dhe për përdorimin e simboleve në to (fletëvotime, vendime të gjykatave, vulën e doganës, etj.). Dhe të gjitha këto u pranuan pa kurrfarë ngurrimi nga Hashim Thaçi. E kemi thënë edhe më parë, Serbia nuk ka pasur kurrë kryeministër më të mirë në Kosovë se sa këtë njeri”.