Kujtohet Dita e Shpresës

Me manifestime të ndryshme, sot, Kosova shënon përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe, forca këto qe po kryenin masakrat dhe spastrimet etnike kundër popullatës civile shqiptare.

Lajme

24/03/2014 07:56

Sot po ashtu, në Gllogjan shënohet përvjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit.

E njohur si Lufta e Kosovës, fushata ajrore solli më në fund çlirimin e Kosovës dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave. Bombardimet ndaj Serbisë filluan 15 vjet më parë, më 24 mars 1999 dhe përfunduan pas 78 ditësh.

Bombardimet përfunduan me miratimin rezolutës 12 44 të KS. Si rezultat ka pasuar largimin e forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s, dhe, fill më pas kthimin e afër një milion refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të dëbuar më parë me dhunë nga ushtria serbe.

Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake Në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë nga 37 vende.

Kosova u çlirua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe NATO, që mundësoi instalimin e një administrate ndërkombëtare deri më 17 shkurt 2008, ditën kur Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe tashmë është e njohur nga më shumë se 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshi shtetet me demokraci dhe ekonomi më të zhvilluar në botë.