Ku jemi ne dhe ku janë të tjerët? – Lajmi.net
Ku jemi ne dhe ku janë të tjerët?
Autori: Mustafa Bajrami Op-EdOpinion 23:24, 11 March 2017
Për lëmi tjera nuk e di, por po flas për shkencat islame, për çka them me bindje: shqiptarët në këtë aspekt janë prapa boshnjakëve për hiç më pak se 50 vite! Boshnjakët kanë shkruar e shkruajnë pa ia nda; kanë botuar me mijëra punime akademike; libra e studime të ndryshme.

Ata kanë përkthyer klasikët e islamit, kanë përkthyer studime të shumta edhe nga fetë tjera, kanë organizuar me qindra seminare e konferenca, kanë studiuar e kanë shkruar për krishterimin, për judaizmin, për budizmin e për shumë fe të tjera. Ata kanë themeluar një mori institutesh hulumtuese shkencore.

Gjithashtu, botimet që dalin nga Fakulteti i Studimeve Islame në Sarajevë, u konkurrojnë edhe universiteteve më të forta në botën islame. Ata janë bërë model për punë studioze dhe për përkthime origjinale. Dhe, të gjitha këto, udhëhiqen rekomandohen, sponsorizohen ose përkrahen nga vetë Bashkësia Islame e Bosnjës. Kjo e fundit, me një mençuri të madhe, ka shkolluar një mori kuadrosh nëpër vende të ndryshme të botës ku sot përkthejnë nga 12 gjuhë të ndryshme.

Sa keq që BIK-u nuk i orienton të rinjtë medresantë të studiojnë edhe në FSI-në e Sarajevës, e jo të gjithë të shkojnë vetëm nëpër vendet arabe!

Po ne, ç’kemi bërë në këtë drejtim?

Krejt çka bëjnë shqiptarët, e bëjnë nga vullneti i tyre i hekurt të qesin diçka në dritë, nën kushte aspak të përshtatshme. Janë të paorganizuar mes vete; shtëpitë botuese janë në shpërputhje të plotë sa i përket kooperimit mes tyre. Ne ende nuk arritëm të themelojmë as edhe një të vetmin institut për studime teologjike; nuk kemi ekip profesional të përkthyesve, sepse nuk kemi shkolluar kuadro nëpër vende të ndryshme të botës. Për shkak se nuk kemi ekip profesionalist të përkthyesve, përkthimet e veprave islame bëhen krye në vete.

Ne, jo vetëm që nuk kemi krijuar gjëra të reja, por ende krenohemi me “Dituria Islame” e qitur në dritë para 33 vjetësh apo me një “Edukatë Islame” e cila fare pak njihet nga lexuesit shqiptarë. Ne nuk kemi portal zyrtar islam nga ku do të informoheshim drejtë, me vend e me kohë, për çështje të cilat u interesojnë besimtarëve.

Ne jemi ndër popujt më të varfër sa i përket mënyrës institucionale të shkrimeve, revistave, përkthimeve dhe botimeve të librave. Andaj, s’do mend se ne jemi ndër më të njohurit në botën islame me zënka rreth çështjeve aq pak të rëndësishme!

Cila është arsyeja?

Bashkësia Islame e Kosovës është vënë në gjumë qe 15 vite. Ajo edhe më tutje udhëhiqet nga njerëz të cilët ndoshta dinë, por nuk duan punojnë. Ata po ëndërrojnë se ndoshta janë duke punuar, krekosen me ndonjë aktivitet të rrallë dhe mashtrojnë njëri-tjetrin duke u lavdëruar mes vete. Nuk botojnë, nuk përkthejnë e as që merren me nevojat e kohës dhe me trendët e botës së tanishme. Ata po mashtrohen dhe po mashtrojnë të tjerët duke thënë se “meqë Zoti ka garantuar fenë islame, nuk ka nevojë shumë për brengosje”.

Ata, në BIK, merren me politikë, me zënka e me shantazhe, por jo që t’i kryejnë detyrat me të cilat ngarkohen, e as me përgjegjësitë që i kanë para shoqërisë e para këtij vendi. Thjeshtë, Bashkësia Islame e Kosovës nuk merr asnjë iniciativë për ndryshimin e kësaj gjendje e as që mendon në shkollimin e kuadrove që asaj nesër do t’i nevojiteshin

Sa keq dukemi kur krahasojmë veten me të tjerët dhe, sa tragjike është kur nuk duam të mësojmë nga përvojat e të tjerëve…!

Fjalët kyçe: Ku jemi ne, Mustafe Bajrami

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play iStunt 2
  • Play Stealth Sniper
  • Play World Soccer Champion
  • Play Berry Rush