Kryetari i Mitrovicës së Veriut: Largimi i uzurpatorëve, aksion kaubojsh

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, aksionin e Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP) për lirimin e lokaleve dhe objekteve të ndërmarrjeve shoqërore, të uzurpuara në veri të Mitrovicës (7 lokale afariste të ish-“LUX”-it), e ka quajtur aksion kaubojsh, i cili, sipas Rakiqit, nuk do të lejohet të zbatohet në veri të Mitrovicës.  

Lajme

28/05/2016 09:33

Në AKP kanë thënë se deri më tani janë liruar 130 lokale dhe objekte shoqërore, të cilat kanë qenë të uzurpuara, por pezullimi i aksionit është bërë në koordinim me Policinë e Kosovës në veri. Agjencia Kosovare e Privatizimit ka konfirmuar se ka shtyrë aksionin për lirimin e lokaleve dhe objekteve shoqërore të uzurpuara në veri të Mitrovicës, siç ka thënë,  “në bashkëpunim të plotë dhe në koordinim me Policinë e Kosovës”. Aksioni për lirimin e 7 lokaleve të ish-ndërmarrjes shoqërore “Lux”, e cila tani është nën menaxhimin e AKP-së, është dashur të përfundojë të enjten, ndërkohë që ai do të zbatohet në ditët në vijim.

Në një njoftim të Agjencisë Kosovare për Privatizim, të cilin e përcjell portali “Kossev”, thuhet se aksioni për lirimin e pronave shoqërore do të ndërmerret gjatë ditëve në vijim, në mbështetje të plotë të Policisë së Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës. “Pezullimi i lirimit të pronave shoqërore në veri të Mitrovicës nuk ka lidhje me ndonjë mossukses të institucioneve. Kërkesa e Policisë në veri për asistim të lirimit të pronave i është dërguar më 18 maj, për datën 26 maj, ndërsa nuk ka qenë në plan që aksioni të realizohet më 26 maj, sepse aksioni është pezulluar më herët”, kanë thënë në AKP, sipas portalit “Kossev”.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka përsëritur se Komuna do të pengojë “çfarëdo aksioni kaubojsh që ndërmerret”, duke siguruar se Komuna këto ditë është syhapur dhe e gatshme për të mos lejuar kurrfarë aksioni.

“Askush nuk na ka njoftuar për aksionin. Në Komunë askush nuk ka paraqitur asgjë, andaj nuk do të lejojmë kurrfarë aksioni kaubojsh. Aksioni nuk mund të realizohet pa konsultime me Komunën”, ka ripërsëritur Rakiq, të premten.

Një aksion i njëjtë për lirimin e lokaleve dhe objekteve shoqërore të ndërmarrjes tregtare “LUX” ishte ndërmarrë për herë të parë në marsin e vitit të kaluar. Edhe atëherë ishte planifikuar një aksion i gjerë i lirimit të pronave shoqërore të uzurpuara që ndodhen në rrugën “Mbreti Peter”. AKP-ja atëherë ishte përpjekur t’i privatizojë rreth 10 lokale të “LUX”-it me sipërfaqe më të mëdha, të cilat ndodhen në rrugën kryesore të Mitrovicës së Veriut, por procesi i privatizimit megjithatë ishte shtyrë derisa të formohej Bordi i AKP-së. Pas shtyrjes, Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, kishte kërkuar që vendimi për shtyrje të privatizimit të mbetet në fuqi edhe pas kompletimit të Bordit të AKP-së.

Rakiq edhe atëherë ishte zotuar se “me të gjitha mjetet demokratike do të pengohet ky aksion kaubojsh”.

Deri në marsin e vitit 2015, në veri të Mitrovicës janë privatizuar 75 lokale dhe objekte të ish-ndërmarrjes shoqërore “LUX”./zeri/