Kryenegociatori Limaj vazhdon takimet me ambasadorë të huaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka vazhduar edhe sot takimet me ambasadorë. Limaj përmes një postimi në ‘Facebook’, ka bërë me dije se është takuar me ambasadorin italian ne Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Lajme

27/09/2018 18:21

Sipas Limajt, në këtë takim është biseduar për zhvillimet aktuale në vend dhe dialogun Kosovë- Serbi. Kosova, thotë Limaj ,se është gjithmonë për dialog me të gjitha vendet, e posaçërisht me Serbinë për t’i mbyllur temat e hapura.

“E njoftova ambasadorin për përpjekjet tona që po i bëjmë që Kosova të flasë me një zë në këtë proces. Objektivat e Kosovës në fazën finale të dialogut Kosovë- Serbi janë të qarta; arritja e një marrëveshje përfundimtare obliguese për njohje reciproke mes dy vendeve si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtarë”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Limaj ka falënderuar ambasadorin për ndihmën që shteti italian po i jep Kosovës duke e ftuar për thellim të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve.