Krijimi i ‘Sistemit të alarmit’ vendor – Lajmi.net
Krijimi i ‘Sistemit të alarmit’ vendor
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 10:26, 1 February 2018
Blerim Shala
Blerim Shala
Duket që as sot e kësaj dite, nuk jemi të vetëdijshëm që fatin tonë e kemi në duartë tona. E kur e ke fatin në duar, natyrisht që e ke edhe fatkeqësinë.

Alarmi, si rëndom në Kosovë dhe tek shqiptarët, na erdhi nga Ambasada e Amerikës.

Si në shumë çështje të tjera kur ‘matjet’ për gjendjen politike, të sigurisë, të rendit dhe ligjit, i bëjnë për ne amerikanët, edhe kësaj here, lajmi për një zhvlerësim të madh të cilësisë së ajrit në Prishtinë, në ditët e fundit të muajit janar, na mbërriti prej Ambasadës së SHBA-së.

Fillimisht pati luhatje në mënyrën se si politika lokale  (në qytetin e Prishtinës), dhe ajo qëndrore (në nivel të Kosovës), reagoi ndaj këtij alarmi amerikan. Mbase, me atë të moçmen, jemi mësuar të jetojmë në një ambient të këtij lloji, prandaj, edhe ‘sistemi kolektiv nervor’  (politik) këndejpari, nuk reagon me të parën. E pastaj, kur ky sistem ngjallet dhe nisë të funksionojë, ajo mungesa fillestare e sjelljes së duhur, synohet të kompenzohet disi me një mbi-reagim, që maturinë e kërkuar në këtë raste, e kompenzon me deklaratat dhe qëndrimet që gravitojnë kah paniku. Pak na mungoi që të jepet urdhëri që të gjithë ne të ngujohemi në banesa dhe në shtëpi, dhe të presim derisa të vie pranvera. Në vazhdim, me atë logjikën e veprimit me çdo kusht, dhe sa më të shpejtë që është e mundur  (sepse, tek e mbrama, qytetarët po e kërkojnë një gjë të këtillë), autoritetet lokale dhe qendrore u dakorduan që disi ta kufizojnë qarkullimin e veturave në qendër të Prishtinës, pa farë analize të detalizuar për hisen që gazërat e veturave e kanë në realitet, në ndotjen e ajrit në kryeqytetin e Kosovës.

Natyrisht, pa pritë e pa kujtue (si thuhet ndër ne), temat ekologjike zaptuan të gjithë hapësirën mediatike në vend, dolën në sipërfaqe dijetarë, ekspertë dhe fallxhi  (te ne nuk bëhet fort dallimi në këtë aspekt), të cilët sillen, sa i përket shpjegimeve të tyre, në skajshmëri  (pozicion ky i preferuar politik dhe shoqëror ndër shqiptarët), duke dyzuar vlerësimet se çka na pret këndjepari, nëse do ta trajtojmë ambientin tonë, domethënë, veten, në këtë mënyrë si kemi bërë në gati njëzet vitet e fundit. Më parë, siç e dimë, na kanë trajtuar të tjerët  (Serbia), si kanë dashtë, në çdo aspekt të mundshëm. Por duket që ende, as sot e kësaj dite, nuk jemi fort të vetëdijshëm që fatin tonë e kemi në duartë tona. Ky është leximi tjetër që i bëhet nocionit të sovranitetit. E kur e ke fatin në duar, natyrisht që e ke (në ‘mandatin’ tënd) edhe fatkeqësinë.

Sidoqoftë, njëra prej masave imediate që mund të ndërmirret në Kosovë, pa bërë plane dhe paralajmërime të mëdha, është që matja e kualitetit të ajrit të bëhet në shtatë qendrat kryesore të Kosovës, dhe jo vetëm në Prishtinë. Tema e ambientit ku jetojmë, pastaj, do të duhej të jetë vazhdueshëm e pranishme në politikën dhe në shoqërinë tonë, madje, duke zënë vend edhe në kryeçështjet që trajtohen në zgjedhjet lokale dhe parlamentare në vend. Krijimi i zonave të gjelbërta në të gjitha qytetet tona  (me një minimum të domosdoshëm), do të mund të imponohej tek të gjitha autoritetet komunale në vend, në një periudhë kohore jo më të gjatë se dy vjet prej tash. Fushatat e pastrimit të ambientit, të ujërave pastaj, nuk do të duhej të bëheshin një herë apo dy herë në vit, në shënim të ditëve ndërkombëtare të mjedisit, por shumë më shpesh.

Mund të ketë, natyrisht, edhe shumë propozime të këtij lloji, të cilat do të ndikonin që ne të veprojmë, në mënyrë parandaluese, për ruajtjen e një ambienti të shëndoshë për veten dhe për brezat që do të vinë në Kosovë.

‘Sistemin e alarmit’ pra, do të duhej ta vendosnim vetë për këtë çështje, si edhe për të gjitha të tjerat.

E dimë që këtë nuk e kemi bërë në të kaluarën tonë, që njeh dhjetë vjet shtet dhe nëntëmbëdhjetë vjet liri.

Rasti i ndotjes së ajrit në Prishtinë, në realitet, madje, është një shembull për të mirë kur u arrit, brenda një kohe fare të shkurtër, një pajtim politik dhe shoqëror që ‘duhet bërë diçka’, sepse në fakt, të gjithë ne i vuajmë pasojat e këtij ajri. Ai na godet të gjithëve.

Ky lloj reagimi do të duhej të na shquante si vend, edhe kur mirremi me të gjitha temat tjera të interesit shtetëror. Apo jo.

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master Japan
  • Play Bubble Trouble
  • Play Urban Basketball
  • Play Turbo Racing 3