Krasniqi: Zgjidhja e këtij problemi tani në duart e qytetarëve

Ish kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke iu referuar zhvillimeve që aktualisht janë duke ndodhur në Kuvend, tha se tani zgjidhja e këtij problemi është vetëm në duart e qytetarëve.

Lajme

24/10/2015 01:02

Sipas tij, populli ua ka dhënë votën atyre njerëzve që me çdo mjet, duan ta rikthejnë Serbinë në Kosovë përmes “Zajednicës, raporton lajmi.net.

Madje ai akuzon  qeveritarët se pa fije përgjegjësie e kanë kënaqësinë të bisedojnë me qeveritarët serbë të cilët siç thotë ai kanë qenë në shërbim të politikës që ka ushtruar krim e gjenocid në Kosovë, ndërsa thotë se nuk janë të gatshëm të ulen e të bisedojnë me opozitën shqiptare në Kosovë.

Ky është postimi i plotë i Jakup Krasniqi në Facebook:

SI SPJEGOHET KJO GJENDJE

Ndoshta kjo gjendje e krijuar sot në Kuvend nuk mund të kuptohet me asnjë teori te parlamentarizmit te krijuar nga teoricienët e demokracisë e të politikës nder shekuj.

Kjo gjerolldi e natës së sotme, mund të shpjegohet vetëm me filozofinë e popullit tonë, i cili thotë: “Mos ia jep budallës shtagën, se ai ta mëshon”! Populli ynë, po shihet se kujt “ia kanë dhënë shtagën”. Ua kanë dhënë shtagën njerëzve që me çdo mjet, donë ta rikthejnë Serbinë në Kosovë përmes “Zajednicës”, por në ketë mision të ri te Kryeministrit dhe vartësve të tij, me këmbëngulësi po i kundërvihet opozita e bashkuar e cila po përpiqet që më çdo kusht ta mbroj sovranitetin e vendit tonë – Republikës së Kosovës.

Pas këtyre veprimeve te krerëve të koalicionit e sidomos ish komunistit Mustafa, këtij vendi këta njerëz nuk kanë vullnet politik t’i ofroj zgjidhje politike te krizës politike e institucionale. Ndërsa këta njerëz pa fije përgjegjësie e kanë kënaqësinë të bisedojnë me qeveritarët serbë të cilët kanë qenë në shërbim të politikës që ka ushtruar krim e gjenocid në Kosovë, ndërsa nuk janë të gatshëm të ulen e të bisedojnë me opozitën shqiptare në Kosovë?!

ZGJIDHJA E KËTIJ PROBLEMI TANI ËSHTË VETËM NË DUART E QYTETARËVE TE KOSOVËS!