KQZ-ja me Memorandum për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në procese zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në bashkëpunim me Grupin për Qasje në Zgjedhje, të përkrahur nga USAID dhe IFES, organizuan ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së dhe Shoqatës HANDIKOS, Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve dhe Shoqatës Down Syndrome Kosova.

Lajme

16/10/2015 15:59

Ky Memorandum Bashkëpunimi, sipas një komunikate të KQZ-së, shpreh përkushtimin e këtij institucioni për angazhimin e personave me aftësi të kufizuar në staf zgjedhor gjatë proceseve zgjedhore.

Drejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Sarah Buchanan në fjalën e saj tha se jemi krenar që kemi mundësi të përkrahim Grupin Punues për Qasje në Zgjedhje, i treti në botë i këtij lloji.

“Ky grup punues shumë-akterësh ka tejkaluar veten duke krijuar një vizion dhe një plan pune për trajtimin e çështjes së qasshmërisë në proceset politike dhe zgjedhore, dhe duke implementuar aktivitetet dhe duke fuqizuar politikat që kanë ndikim. E gjithë kjo, brenda 10 muajve. Kjo tregon se si akterët kanë marrë pronësinë dhe janë duke adresuar çështjet e qasshmërisë”, tha Buchanan, thuhet në komunikatë.

Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, i cili është bashkë-kryesues i Grupit Punues për Qasje në Zgjedhje, tha se ky grup përbëhet nga institucione dhe shoqata të ndryshme. Sipas tij synimi kryesor është që të sigurohet një barazi e plotë e personave me aftësi të kufizuara në proceset zgjedhore në jetën publike në përgjithësi dhe se ky memorandum është vetëm një hap në këtë drejtim.

Pas fjalëve përshëndetëse, znj. Valdete Daka (Kryetare e KQZ-së), z. Afrim Maliqi (Drejtor Ekzekutiv i HandiKOS), z. Bujar Kadriu (Kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës), z. Enver Kurtalani (Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve) dhe znj. Sebahate Beqiri (Drejtoreshë Ekzekutive e Doën Syndrome Kosova) – hodhën firmat e tyre në Memorandumin e Bashkëpunimit.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka kujtoi se KQZ që nga zgjedhjet e vitit 2009 ka mundësuar votimin për personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar përmes shabllonëve në alfabetin e Brailit, duke shtuar se: “Nga sot, KQZ-ja po shkon edhe një hap më tej, duke përmirësuar mundësitë për angazhimin e personave me aftësi të kufizuar në pozita të ndryshme si staf zgjedhor”.

Drejtori Ekzekutiv i HandiKOS-it,  Afrim Maliqi tha se në çdo proces zgjedhor kemi inkurajuar personat me aftësi të kufizuara që të marrin pjesë në zgjedhje dhe se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në këto procese, ndërsa e vlerësoi lartë edhe memorandumin e nënshkruar.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, zBujar Kadriu tha se që nga viti 2009 të verbërit kanë filluar të votojnë në mënyrë të pavarur falë mundësive që ka krijuar KQZ-ja dhe marrëveshja e sotme jep mundësi edhe më të mëdha për personat me aftësi të kufizuar.

Në emër të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve u shpreh drejtori ekzekutiv, Enver Kurtalani i cili tha se ky memorandum është i rëndësishëm për personat me aftësi të kufizuara dhe të jetë si model edhe për institucionet tjera në Kosovë.

Në fund, drejtoresha ekzekutive e Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri tha se kjo marrëveshje bashkëpunimi po hap rrugët për trajtim të barabartë dhe të dinjitetshëm të personave me aftësi të kufizuar.

Në këtë ceremoni morën pjesë deputetë, drejtues të institucioneve të ndryshme vendore dhe përfaqësues të subjekteve politike.