KQZ gjobitet për tender të parregullt, shuma qesharake

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është gjobitur shkaku i një tenderi të parregullt, që kishte të bënte lidhur me “Informimin Publik-Zgjedhjet e Parakohshme 2014”. Edhe pse tenderi ka qenë disa mijëra eurosh, gjoba për KQZ-në ishte vetëm 350 euro. 

Lajme

09/06/2014 16:36

Ky dënim ka ardhur pas ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që ka bërë kompania Entermedia. 

Në këtë vendim të marrë nga OSHP-ja, konstatohen shkeljet ligjore të bëra nga KQZ në lidhje me tenderin në fjalë. 

Me këtë rast OSHP ka kërkuar që të anulohet kontrata e lidhur me Operatorin MDA, pasi që ajo është lidhur në kundërshtim me nenin 26 të ligjit të prokurimit të Kosovës. Por më pas shkaku i kohës së shkurtër që ishte në dispozicion për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kompanisë i është lejuar përgatitja e fushatës. 

Për shkak të shkeljeve të bëra nga ana e KQZ-së, ajo është gjobitur për shpenzimet administrative të krijuara Entermedia-s në vlerë prej 350 euro. 

Në bazë të këtij vendimi të aprovuar nga ana e OSHP-së, kompania Entermedia, thotë se do të vazhdoj me ndjekjen e procedurave ligjore, pasi mendohet se i tërë ky proces është bërë me paramendim. Andaj kompania në fjalë ka paralajmëruar të hapë padi penale dhe civile.