KQZ dhe OSBE ta qartësojnë Veriun

Demokracia në Veprim shpreh shqetësim për gjendjen e Veriut të Mitrovicës. Ajo kërkon nga KQZ dhe OSBE të jenë transparent me rrjedhën e ngjarjeve në Veri dhe në 3 komuna tjera.

Lajme

04/11/2013 17:27

Demokracia në Veprim ka dalë me deklaratën preliminare për të gjeturat e procesit të votimit për ditën e djeshme për kandidatët për kryetarë të komunave.

Ajo, nëpërmjet 1 mijë e 600 vëzhguesve të angazhuar nëpër vendvotime, ka monitoruar zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës.

Driton Selmanaj nga Demokracisë në Veprim ka shprehur shqetësim për sigurinë në pjesën Veriore.

“Ne shprehim shqetësim se institucionet përgjegjëse për siguri në atë pjesë nuk kanë arritur të ofrojnë sigurinë e duhur për të garantuar një proces të lirë dhe demokratik”.

“Demokracia në Veprim kërkon nga KQZ dhe OSBE që sa më shpejtë që është e mundur të bëjë transparent rrjedhën e ngjarjeve në Mitrovicën e Veriut, por edhe në komunën e Leposavicit, Zvecanit dhe Zubin Potokut, ku votimi është përfunduar para kohe dhe ka një paqartësi se çfarë ka ndodhur me kutitë e votimit, a kanë qenë ato nën mbikëqyrjen e administruesve të zgjedhjeve”.

Sipas vëzhguesve të DnV,  nga numri që kishin drejtë vote, kanë votuar 48.83%.

“Në bazë të vëzhguesve tanë në terren, të drejtën për të votuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me përjashtim të pjesës veriore, e kanë shfrytëzuar 803 mijë e 359 votues, ose 48.83% të atyre që kanë qenë të regjistruar në listën e regjistruesve”.