KQZ dërgon në rinumërim 439 kuti të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të dërgohen në rinumërim e 18 kuti të votimit për shkak të mospërputhjes së të dhënave të subjekteve politike dhe 421 kuti të votimit për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve. 

Lajme

17/06/2014 18:34

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me rekomandimin e Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve, ka vendosur për rinumërimin e 18 kutive të votimit për shkak të mospërputhjes së të dhënave të subjekteve politike dhe 421 kutive të votimit për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve.

Sipas një komunikate të dërguar nga KQZ, thuhet se në mbledhjen e së martës para anëtarëve të KQZ-së është paraqitur raporti i punës nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

Burim Ahmetaj koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve, bëri të ditur se procesi i numërimit të votave me Postë, votave me Kusht dhe votave të Personave me Nevoja të Veçanta pritet të përfundojë të mërkurën.

“Në mëngjesin e sotëm ka filluar numërimi i Votave me Postë, Votave me Kusht dhe Votave të Personave me Nevoja të Veçanta, dhe procesi është jashtëzakonisht transparent, pasi janë ftuar subjektet politike dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për të parë nga afër procesin e numërimit. Procesi i numërimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së nesërme (e mërkurë)”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.