KQZ çon në rinumërim 62 vendvotime

Rinumërimi në këto vendvotime, sipas KQZ’së do të bëhet pasi Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka vlerëson se ka mospërputhje.

Lajme

11/11/2013 11:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që 62 vendvotime të shkojnë në rinumërim.

Bëhet fjalë për komuna të ndryshme e ku 24 prej vendvotimeve janë për Kryetar Komunash.

Rinumrimi në këto vendvotime, sipas KQZ’së do të bëhet pasi Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka vlerëson se ka mospërputhje.

Burim Ahmetaj, nga QNR’ja, tha se për shkak të ngatërrimit të rubrikave, ato fletëvotime nuk mund të pranohen si të rregullta dhe nevojitet një hetim shtesë.

“Gjatë hetimeve të bëra në karantinë shihet se ka mospërputhje të numrit të fletëvotimeve të pranuara, të përdorura dhe të papërdorura. Po ashtu në disa raste shihet se shiritat e thasëve të fletëvotimeve kanë munguar ose nuk janë shënuar në formularët e rezultateve”.

Ahmetaj tha se gabime në fletëvotime ka pasur për kandidatët për kryetar komune, por edhe për kuvende komunale.

Sipas tij, probleme me disa kuti votimi ka pasur edhe me listat e votuesve, për të cilat ka kërkuar aprovimin e KQZ’së për hetim dhe mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar.

“Pas hetimit, tanimë rezulton se një pjesë e materialeve mungon. Çka është më e rëndësishme, mungon lista përfundimtare e votuesve dhe për këtë arsye nuk mund të procedohet me këto vendvotime. Gjatë pranimit nuk është pranuar ndonjë listë përfundimtare e votuesve, ndonjë formular i rezultateve, libri i votimit apo materiale të tjera që janë të ndjeshme”.