KPK vendos që t’i kompensojë prokurorët që punojnë për zgjedhjet e 11 qershorit

Sot është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Lajme

29/05/2017 14:29

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial shqyrtuan raportin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e Krimit Ekonomik për periudhën janar-mars 2017. Anëtarët e KPK-së me disa sugjerime, miratuan raportin.

“Anëtarët e KPK-së, shqyrtuan dhe aprovuan pikën për procedurat standarde të veprimit për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ky plan ka për synim ngritjen e efikasitetit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje gjatë procedimit të këtyre rasteve në prokurori. Ky efikasitet synohet të arrihet përmes caktimit të prokurorëve të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, thuhet në komunuikatën e KPK-së.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së shqyrtuan dhe aprovuan Rregulloren me Nr. 04/2017, për Klasifikimin e Informacioneve të sistemit prokurorial. Kjo rregullore ka për qëllim klasifikimin e informacioneve të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, e cila do të zbatohet për tërë sistemin prokurorial.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së, me sugjerimet e dhëna aprovuan Rregulloren me Nr. 05/2017, me, e cila ka për qëllim të përcaktojë organizimin  e punës dhe përgjegjësitë e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, si komision i përhershëm i Këshillit Prokurorial. Fushëveprimi i kësaj Rregullore është veprimtaria e Komisionit që lidhet me planifikimin, shqyrtimin rekomandimin, menaxhimin dhe monitorimin e buxhetit të KPK-së.

Në këtë mbledhje u miratua kërkesa për kompensim të prokurove që angazhohen për zgjedhjet e 11 qershorit.

“Po sot, anëtarët e KPK-së aprovuan kërkesën e Koordinatores nacionale për zgjedhje, Laura Pula, për kompensimin e prokurorëve dhe stafit mbështetës për angazhimin e tyre në ditën e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017”, bëhet e ditur nga Këshilli Prokuorial.

Si pikë e fundit e rendit të ditës që shqyrtuan dhe aprovuan anëtarët e KPK-së, ishte kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, që për udhëheqës të Departamentit të Krimeve të Rënda, të caktohet prokurori Kujtim Munishi. /Lajmi.net/