Kosovo-fobia dhe Kombëtaro-mania

Jam gëzuar fort për daljen zyrtarisht në fushën e lojës falë FIFA-s të Kombëtares së Kosovës. Kanë marrë goditje një herë e mirë për këtë, të gjithë Kosovo-fobistët dhe Kombëtaro-manistët. Për fat të keq janë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Shqipërisë, e aty – këtu edhe shqiptarë të Kosovës. Natyrisht dhe mijëra e mijëra serbë. Ndoshta…

Opinion

17/03/2014 12:50

Jam gëzuar fort për daljen zyrtarisht në fushën e lojës falë FIFA-s të Kombëtares së Kosovës. Kanë marrë goditje një herë e mirë për këtë, të gjithë Kosovo-fobistët dhe Kombëtaro-manistët.

Për fat të keq janë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Shqipërisë, e aty – këtu edhe shqiptarë të Kosovës. Natyrisht dhe mijëra e mijëra serbë.

Ndoshta dhe miliona. Ndonëse kolegë serbë të profesionit tim, e quajnë krejt të ligjshme daljen në fushën e lojës të Kombëtares së Kosovës.

1.

Mjerimi qëndron diku tjetër. Qëndron te një grup shqiptarësh Kosovo-ksenofobë dhe Kombëtaro-ksenomanë. Kur në këtë rast me “ksenofobi” (“xenophobia”) kuptojmë frikën ndaj diçkaje tjetër, jashtë teje, besimi tjetër apo dhe race tjetër, apo ndaj një popullate që ndodhet jashtë popullatës tënde.

E kur me “mani” do të kuptonim një ide fikse, të palëvizshme, disi fanatike, që në rastin tone shfaqet te gjakimi (pasioni) i tejshëm për ekzistencën e vetëm Kombëtares së Shqipërisë.

Simbas tyre, Kosova duhet të jetë shtet i pavarun. Duhet të ketë kryeministrin e vet, ministrat e saj, qeverinë e saj pra, presidentin e saj, ushtrinë e saj, kufijtë e saj.

Dhe vetëm Kombëtare të futbollit nuk duhet të ketë. Madje Kosova mund të ketë edhe një Kampione të Botës si Majlinda Kelmendi, për fat jo antike, por të vitit 2013. Mund të ketë edhe basketboll më të mirë se Shqipëria e mund të luajë ndeshje në gara ndërkombëtare.

Mund të ketë edhe Kombëtaren e saj të peshëngritjes që po merr pjesë në Kampionate Europiane, veç Kombëtare të futbollit ajo nuk duhet të ketë!

Nuk duhet të ketë, sepse disa shqiptarë ksenofobë të Shqipërisë, po kanë fort keqardhje se lojtarët shqiptarë të Kosovës të cilët luajnë me Kombëtaret e Shqipërisë, mund të largohen prej kësaj të fundit deri aty, sa të na marrin në qafë!

A thua se Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka ekzistuar më parë, kur shkaktonte bie fjala, deri dhe eliminimin e Gjermanisë Perëndimore e të Irlandës së Veriut të Xhorxh Bestit e të Manchester United (pra jo këte modeste të sotme), duke mos pasur asnjë futbollist shqiptar të Kosovës!…

A thua se nuk fitonte ndaj ish Kampiones së Europës dhe Olimpike që ishte Rusia “e BRSS”. Sa për të dhënë nja dy tre shembuj.

Pa harruar për të shkuar për te klubet e Europës, një Këln a një Torino, një Austria e Vjenës, Barcelona e një Partizan i Beogradit – fitore të bujshme të futbollit shqiptar, kur asokohe as që mund të përmendej që klubet shqiptare të mund të kishin lojtarë të Kosovës.

E tash duan të na mbushin mendjen se një fitore, e bukur natyrisht, si kjo 3-1 e 21 vjeçarëve të Shqipërisë kundër Austrisë, qenka mrekullia e fundit, falë edhe përzgjedhjes të jopak lojtarësh jo të Shqipërisë por të Kosovës europiane.

Lojtarë shqiptarë të Kosovës të cilët Federata Shqiptare e Futbollit i paska zbuluar nëpër kontinent. Harrojnë se para pak gazeta “PanoramaSport” – e vetmja pra – përkujtoj 30-vjetorin e arritjes më të madhe të Shqipërisë: 21 vjeçarët e saj në tetëshe të Europës, duke triumfuar ndaj Gjermanisë, Austrisë e Turqisë me të gjithë lojtarët vetëm të Shqipërisë.

Jo si Shqipëria e 21 vjeçarëve të sotëm e cila lufton thjesht për t’i shpëtuar vendit të fundit në grup. Ndonëse ia respektojmë fort dy fitoret e saj të muajve e ditëve të tashme.

Të vjen keq vërtet, se si prej do kohësh një lloj përulje që ndoshta ia kalon edhe përuljes tonë ndaj Regjimit të Partisë dikur, po mbështjell lidershipin e Federatës Shqiptare të Futbollit, pa e kuptuar se sa fort e dëmton autoritetin e saj kjo mënyrë qëndrimi.

Për fat kemi mbërritur deri aty saqë organizmit tonë të futbollit ia gjen tash e parë, sidomos në studio televizive, mbrojtësit e saj, disa madje edhe me konflikt interesi të pastërt.

Nuk u përshkrua në Shqipëri ndeshja Kosova – Haiti, nuk u portretizuan sado pak lojtarët e saj të ndeshjes me Haitin.

Nuk u tha gati asnjë fjalë se si ka qenë e mundur që vetëm me dy stërvitje të shpejta, vetëm dy, trajneri Albert Bunjaki ka nxjerrë në fushën e lojës së Stadiumit ”Adem Jashari’ një Kosovë të bukur, kolektive, tërheqëse, taktike, të qetë në shpalosjen e një futbolli jopak modern.

Nuk u përimtua se si ka qenë e mundur që, mbrenda vetëm nja dy a tre muajve, një stadium thuajse i shkatërruar si ai “Adem Jashari” i Mitrovicës, të ringrihet e të modernizohet asisoji, sa që edhe i dërguari i FIFA-s, të deklarojë befasinë e tij të madhe.

Në një kohë që thuajse ende asnjë stadium i Shqipërisë nuk merret në dorë përsëmbari (tjetër çështje ajo që sapo ka filluar me stadiumin e Elbasanit).

Dhe mbi të gjitha: si ka mundësi që mû në ditën e zyrtarizimit prej FIFA-s të Kombëtares së Kosovës, të shpërthejë ajo që po e quajmë Kosovo-fobi, ndryshe “lufta kundër ekzistencës së Kombëtares së Kosovës”?

Duke përzier në gjithë këte Kosovo-fobi apo Kombëtaro-mani deri dhe futbollistë të shquar të Kombëtares, krejt të pafajshëm natyrisht, të cilët mbase nuk arrijnë t’i shpëtojnë trysnisë së pyetjeve nxitëse të disa gazetarëve pranë FSHF-së. Dhe? “Një komb – një Kombëtare!” Me gjâsë atdhetari e madhe!…

Mirëpo, dihet ndërkaq: atdhetaria e madhe nuk nis me futbollin. Nis me lirinë, me shtetformimin, me pavarësinë, me kufijtë shtetërorë, me njohjen e qeverisë, me ngritjen e ushtrisë, të ministrive.

Dhe mandej edhe me sportin, futbollin e Kombëtaren e tij. E kësisoji, hap mbas hapi, pse jo, për të mbërritur deri te realizimi i ëndrrës së bashkimit Shqipëri – Kosovë.

Sepse gjithçka ka rradhë e logjikë, ka politikë e gjeopolitikë ku sporti e futbolli doemos luajnë rolin e tyre të rëndësishëm. Siç i deklaroi mbas  ndeshjes për “La Gazzetta dello Sport” të Milanos, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjagaj, kur i tha:

“Sot, 15 vjet mbas luftës, 6 mbas Pavarësisë kemi realizuar një hap të madh përpara: një  rast unik për t’u shfaqur në skenën ndërkombëtare dhe për t’iu treguar të rinjve tonë se një e ardhme më e mirë është e mundshme.

60 përqind e kosovarëve janë nën 25 vjeç dhe për shumë prej tyre sporti është pasioni më i madh. Ndeshja e sotme e ndihmon kauzën tonë: kemi nevojë për promocion”.

Eshtë një deklaratë shembullore (emblematike)!

Dhe në gjithë këte strategji të së tashmes dhe të së ardhmes, hyn pra, edhe pavarësia e Kombëtares së Kosovës.

E, pra, nuk është çasti që të shndërrohemi në fanatikë të Kombëtares sonë të Shqipërisë, duke propaganduar deri në Kombëtaro-mani paprekshmërinë e saj, vetminë e saj, të drejtën e saj gati prepotente për të përfaqësuar vetëm ajo shqiptarët.

Ndonëse më 5 mars një Kombëtare tjetër e shqiptarëve, ajo e Kosovës – përfaqësuese e pakta edhe e nja 2 milion shqiptarëve të tjerë – doli zyrtarisht nën divizën e shtetit të vet të ri.

2.

Janë lëshuar turr “përzgjedhësit” e Shqipërisë (siç i thonë në Kosovë shqip “seleksionuesit”) të cilët në Kombëtaret e Shqipërisë kërkojnë të ketë vetëm djem të talentuar të Kosovës anë e mbanë Europës!

U trondita kur lexova këtu në “PanoramaSport” deklarimin e përzgjedhësit të Kombëtares shqiptare, apo “zbuluesit të talenteve”, siç u njihka, Tramezzani pra, i cili me krenari tha:

“Kam bërë 72 udhëtime rreth e rrotull Europës në këto dy vite!” Nuk di a i bën 72 udhëtime në Europë trajneri i Brazilit i cili synon Kupën e Botës, për të pa e përzgjedhë kombëtarasit e tij të cilët luajnë në klubet europiane.

Dhe nga ana tjetër, nuk e di a ka qenë Tramezzani ynë në Vlorë, Korçë, Shkodër, Kavajë, Berat, Lushnje a Fier. Apo dhe në Memaliaj që i ka dhënë Shqipërisë Foto Strakoshën – portjerin e madh të Kombëtares, të Dinamos së Tiranës e të Olimpiakosit të Pireut.

Mirëpo kemi 72 udhëtime për të zbuluar talente “eurokosovarë” për Kombëtaren e Shqipërisë e cila në tri edicionet e fundit eurobotërore është kjo:

KB 2002: E fundit në grup!

KB 2006: Dy parafundit në grup!

KB 2010: E parafundit në grup!

KB 2014: E parafundit në grup!

72 udhëtime europiane për të qenë e parafundit? Mjerë ne dhe ata që paguajnë për këto udhëtime!

E ndërkaq, rrezikojmë tejet të mos hedhim sytë te djemtë shqiptarë të Shqipërisë. Po me cilat skuadra kombëtare do të luajnë djemtë e Shqipërisë?

Ndoshta me Gibraltarin i cili u pranua në UEFA edhe pse nuk është shtet, por protektorat! Për pranimin e të cilit me sa duket ka votuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit.

Së cilës iu bënë do kohë fort të mira që nuk po ia dëgjojmë zërin apo veprimtarinë “lobuese”, siç thuhet jo në shqip, për pranimin e Kosovës!… Për çudi, nuk e ndjeva praninë e saj në tribunën e Sadiumit “Adem Jashari” të Mitrovicës!…

Jam gëzuar fort për Kosovën zyrtare të FIFA-s. E kam uruar me zemër presidentin e FFK, Fadil Vokrrin për përpjekjet dhe realizimin që jetësoi.

Dhe respektoj edhe më fort presidentin e FIFA-s, Joseph Blatter, për çka bëri. Po kjo nuk ka rëndësi, sepse unë jam një i vetëm. E rëndësishme është se janë gëzuar ndoshta nja dy milion shqiptarë të Kosovës të cilët në Stadiumin “Adem Jashari” u përfaqësuan prej 17.000 bashkombasve të tyre  tejet civilë e qytetarë, të cilët mbanin ndër duar mbi nja 10.000 flamuj të shtetit të Kosovës për nder të Kombëtares së tij të futbollit.

Dhe nuk mërzitem asesi nëse lojtarë të Kosovës të cilët luajnë për Shqipërinë, të shkojnë e të luajnë për Kosovën. Sepse të dyja këto Kombëtare i ndjej si të miat.

Ndoshta ata që kanë të drejtë të mërziten mund të jetë jo Shqipëria, por përshembull, Suedia, e cila ka shpenzuar jo pak mund e financa për të përgatitur Loret Sadikun i cili ka luajtur me Kombëtaren suedeze të 21 vjeçarëve.

Ka të drejtë të mërzitet po për këte arësye edhe më fort Norvegjia për Ardian Gashin i cili ka luajtur jo vetëm 18 herë me norvegjezët 21 vjeçarë, por plot 14 ndeshje me Kombëtaren e të rriturve të Norvegjisë.

Po kaq, ka të drejtë të mërzitet Norvegjia edhe për Avni Pepën, i cili ka luajtur me 18-vjeçarët e saj; apo edhe për Zymer Bytyçin i cili ka luajtur  po me skuadrat kombëtare norvegjeze të të rinjve.

E, edhe më fort ka të drejtë të mërzitet Zvicra për Albert Bunjakun i cili ka luajtur plot 6 ndeshje me Kombëtaren e madhe të Zvicrës.

Ndoshta po aq sa çka të drejtë të mërzitet edhe Holanda për Shkodran Metaj i cili në mos gaboj një herë ka arritur të luajë deri për Kombëtaren e madhe të Holandës, përveçse me ate të 21 vjeçarëve të saj.

Tjetër punë Gjermania,e cila ta do mendja se duhet të mërzitet për Fanol Perdedajn, Enis Alushin e Faton Toskin të cilët të gjithë kanë veshur fanelën e Kombëtareve të Gjermanisë për nga nën 19 e 21-vjeçarët e saj!

E pra, kur nuk mërziten të gjitha këto shtete të cilët janë fuqi futbolli dhe të cilët i kanë rritur e formuar këta futbollistë, çka ka që mërzitet Shqipëria e cila pa asnjë meritë i ka marrë të gatshëm?…

3.

Ndjeva një kënaqësi të veçantë që doli në fushën e lojës zyrtarisht Kombëtarja e Kosovës. Sepse si gazetar prej mbi 15 vjetësh, kam luftuar jo pak për këte ditë.

Emocionohem kur mësoj se në Kosovë ma dijnë këte, teksa institucione gazetarije të atjeshme  më kanë nderuar edhe me nja dy çmime për këto përpjekje vetjake, që në fund të fundit vijnë thjesht prej ushtrimit të profesionit tim dhe kaq.

Ndjej një kënaqësi edhe më tepër kur kujtoj shkrimin e vitit 2008 me titull “President Platini: çlirojeni Kosovën!” të cilin po e ribotojmë në “PanoramaSport” sot mbas 6 vjetëve, sepse ai ende e ruan aktualitetin.

Jam njeri prej atyre që kam kërkuar me forcë publikisht pra, qysh më 2008 që Kombëtarja dhe klubet e Kosovës të dalin zyrtarisht në fushën e lojës edhe përmes kësaj letre – shkrim të botuar për Presidentin e  UEFA-s, Michel Platini, atij i cili para pak ditësh deklaroi se “futbolli në Shqipëri ndodhet në duar të sigurta”.

Po e ribotojmë, jo thjesht prej kënaqësisë ngaqë në thelb, ajo çka kërkonte kjo letër – shkrim, sot u realizua. Po e  ribotojmë jo thjesht për vlerën e saj historike të futbollit, por edhe ngaqë  më 5 mars 2014, u jetësua arritja e parë e madhe: zyrtarizmi i Kombëtares së Kosovës.

Tash mbetet pranimi në FIFA. Dhe papritmas lind pyetja: “Po sikur në Kupën e Botës 2018 shorti do të vendoste në një grup Shqipërinë dhe Kosovën? Them se do të jetë një ditë e madhe shqiptare.

E , për ta mbyllur, nuk arrij të kuptoj përse po vonohet për t’u zhvilluar një ndeshje miqësore Shqipëria – Kosova. Edhe kjo do të ishte një ditë e madhe shqiptare. A nuk e kanë organizuar ate me ndeshjen Përfaqësuesja e Tiranës – Kosova,  Eqrem Vlora dhe Mustafa Kruja qysh më 1942? Dhe a nuk e organizoi Shqipëria Demokratike, madje dy herë, më 1993 dhe më 2002 ndeshjen Shqipëria – Kosova?…

Kombëtarja e Kosovës po shpejton. Do të ndeshen me Turqinë – një nga skuadrat më,të forta të Europës. Dhe vështroni se me ke ka luajtur miqësore Shqipëria në 12 ndeshjet e fundit të saj: Azerbaixhan, Maqedoni, Gjeorgji, Katar, Iran, Moldavi, Kamerun, prap Gjeorgji, Lituani, Armeni, Biellorusi, Maltë. Nuk vlen as  retorika dhe as reticenca. Ajo që ia vlen është zyrtarizimi prej FIFA-s i Kombëtares së Kosovës. Panorama Sport.