Kosova pret funksionalizimin e gjyqësorit në veri

Bekim Çollakut, thotë se takimi i 31 marsit, në mes të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, do të fokusohet në finalizimin e modaliteteve teknike dhe funksionalizimin e gjyqësorit në veri. Ai pret konsistencë të Vucicit karshi obligimeve ndaj marrëveshjeve.

Lajme

25/03/2014 22:12

Dita e fundit e muajit mars do ta shënojë takimin e radhës midis bisedimeve Kosovë-Serbi me ndërmjetës Bashkimin Europian. Temë kyçe e këtij takimi do të jetë finalizimi i modaliteteve teknike për funksionalizimin e gjyqësorit në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa, do të diskutohen edhe çështje të tjera teknike lidhu me mbarëvajtjen e zbatimit në praktikë të marrëveshjes së 19 prillit.

Kështu ka thënë këshilltari politik i kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku.

Ai të martën, për lajmi.net, ka bërë të ditur se pala kosovare është e gatshme ta përmbyllë çështjen e gjykatave në veri, e, për këtë, kenë prodhuar mjaft argumente në favor të mbylljes.

“Presim që edhe pala tjetër më në fund t’i përmbyllë çështjet që për ta ende konsiderohen si të hapura dhe ta finalizojnë këtë çështje në tërësi. Dhe, të fillojmë zbatimin e saj në praktikë, sepse, tashmë jeni vonuar mjaft sa i përket funksionalizimit të gjyqësorit në veri dhe zhbërjes së të gjitha strukturave ilegale që funksionojnë në këtë fushë, në veri të vendit”.

Por, a po bën Qeveria e Kosovës faktikisht ndonjë formë presioni për implementimin e Marrëveshjes së 19 prillit, Çollaku mohon një gjë të tillë.

“E vetmja palë, e cila ka mundësi që të ushtrojë presion në njërën nga palët që janë të përfshira në këtë dialog është Bashkësia Europiane, ajo e cila mund të ushtrojë presion të mjaftueshëm që do të ndikojë në nxitjen e zbatimit të marrëveshjes në praktikë dhe, ne jemi të sigurt që BE do ta bëjë një gjë të tillë”.

Ndryshe, i pyetur se a pritet ndonjë ndikim nga zëvendëskryeministri serb, Aleksander Vucic, i dalë fitues nga zgjedhjet e fundit në Serbi, këshilltari i Thaçit, ka thënë se pret “një konsistencë të tij karshi zotimeve dhe obligimeve që ka Serbia në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit”.