Kosova, jo në OSBE me kushte serbe

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) vazhdon të aplikojë rregulla të ashpra kur është fjala për pjesëmarrjen e Kosovës në organizimet e saj.

Lajme

23/04/2015 08:09

Pjesëmarrja eventuale e zyrtarëve të Kosovës mund të bëhet vetëm me lejen e Serbisë. Personeli dhe përfaqësuesit e institucioneve duhet të kenë rreptësisht status neutral. Por Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të mos marrë pjesë me këto kushte.

Gazeta Koha Ditore ka siguruar dokumentin pesëpikësh, me kushtet e dhëna nga Sekretariati i OSBE-së në Vjenë për përfaqësimin e zyrtarëve të Kosovës.

“Emrat e përfaqësuesve nga institucionet e Kosovës duhet të dërgohen në Serbi nëpërmjet OSBE-së në Vjenë, që të jepet drita e gjelbër për vendimin final”, thuhet në pikën një të dokumentit.

“Emrat e përfaqësuesve nga institucionet e Kosovës mund të jenë pjesëmarrës vetëm si pjesë e delegacionit të Misionit të OSBE-së, të udhëhequr nga personeli i Misionit të OSBE-së. Të gjithë duhet të ulen pas emrit të Misionit dhe jo në tavolinën kryesore”, thuhet në pikën pasuese.

Sipas pikës tre, udhëheqësit e delegacionit duhet të jenë personel i Misionit të OSBE-së, e jo përfaqësues të institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Nëse përfaqësuesit nga institucionet e Kosovës dëshirojnë të marrin fjalën, fjala duhet të kërkohet nga përfaqësuesi i Misionit të OSBE-së, i cili duhet ta prezantojë kërkuesin e fjalës. Deklaratat nga delegacioni i Misionit të OSBE-së, [personeli dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës duhet të kenë rreptësisht status paralel”, shkuan pika katër e këtij dokumenti.

Aty kërkohet edhe përshkrimi i fusnotës, madje me numër dhe jo me “fjollë” apo ndonjë simbol tjetër.

Pikat e radhitura janë kusht nga Sekretariati i OSBE-së në Vjenë që këtë vit drejtohet nga Serbia, për pjesëmarrjen e zyrtarëve të shtetit të Kosovës në çfarëdo lloj organizimi nga Sekretariati i OSBE-së, qofshin ato konferenca, seminare, tryeza e trajnime.

Gazeta merr vesh se Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë përpjekje të ndryshojë këtë qasje, por nuk është pranuar nga Selia qendrore në Vjenë. Këto pika nuk aplikohen nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për aktivitetet që zhvillohen brenda Kosovës.