Kosova fillon konsultimet me FMN-në

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka pritur sot delegacionin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane, me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë.

Lajme

19/03/2015 16:32

Ministri Hoti informoi përfaqësuesit e delegacionit të misionit të FMN-së edhe mbi vendimet e fundit të Qeverisë për ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhurat personale dhe tatimin në të ardhurat e korporatave.

Ai po ashtu konfirmoi përkushtimin e Qeverisë për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.

Në anën tjetër, shefi i FMN-së për Kosovën, Miniane, dhe ekipi i tij uruan Hotin për zgjedhjen e tij në detyrën e re, si dhe u shprehën të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ekipi i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 30 mars, kur përveç Ministrisë së Financave do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera në Kosovë.