Kosova ende përballet me fenomenin e gjakmarrjes, por jo si dikur (Video)

Në Kosovë ka ende gjakmarrje, numri i tyre nuk dihet, por ato janë shumë më të pakta në numër sesa më parë.

Lajme

25/06/2015 11:39

Ata që ishin të përfshirë në pajtimin e gjaqeve 25 vite më parë, thonë se po punojnë ende që të ketë sa më pak gjakmarrje. Presidentja e Kosovës e quan pjesë të së kaluarës, e ata që falën gjakun kërkojnë që edhe një herë të bashkohen të gjitha shtresat e shoqërisë në Kosovë, raporton lajmi.net.

Veprimtarët e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve shpjegojnë se pajtimi i gjaqeve bëhej për shkak të mungesës së drejtësisë, e tani, presin edukim dhe sistem funksional të drejtësisë.

Veprimtari për pajtimin e gjaqeve, Riza Krasniqi pranon se ka gjakmarrje ende, por, sipas tij, më nuk ka për vrasjet pa paramendim, siç janë aksidentet në komunikacion.

“Fatkeqësisht më duhet të them se po ka ende gjakmarrje. Po punohet që të ketë sa më pak . Por, mendoj se me edukimin dhe me një sistem të drejtësisë si duhet, gjakmarrja do të shuhet, sepse ajo ka rrjedh me mungesën e sistemit të drejtësisë. Problem janë edhe aksidentet në komunikacion, për ato më nuk shkohet me kërku besë. Për vrasjet pa paramendim unë nuk di që ka gjakmarrje sot”, thotë ai.

Siç shpjegon Krasniqi, edhe pse ka ende gjakmarrje, nuk mund të krahasohen me ato që ndodhin në Shqipëri e aq më pak me ato të viteve të ’90-ta.

Mirëpo, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga thotë se gjakmarrja në Kosovë është lënë prapa në histori.

“Gjakmarrja mbetet një e kaluar e hidhur që njëherë e përgjithmonë është lënë prapa në histori, duke i hapur rrugë kështu vlerave të civilizimit evropian, harmonisë, mirëkuptimit, nderimit dhe respektit për jetën, duke i valorizuar vlerat e shtetit tonë, Republikës së Kosovës, duke i dhënë udhë rendit dhe sundimit të ligjit, lirive dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, pa dallim”, thotë ajo.

Ajo e quan institucioni fisnik i pleqnarisë, atë që bënë veprimtarët e asaj kohe.

Pavarësisht këtyre, njëri nga ata që fali gjakun  tre vëllezërve të tij, Marjan Demaj, ka një apel për të gjithë.

Flet në emër të atyre që dikur falën gjakun, e edhe në emër të atyre që dhanë gjakun.

“Kam një apel: të bashkohemi edhe një herë, rinia, inteligjenca dhe klasa politike në veçanti, ta fitojmë kupën më të vështirë, pra që Kosovën të bëhet e dashur për të gjithë”, thotë Demaj.

Lëvizja për Pajtim, që kulmoi në maj të vitit 1990, te Verrat e Llukës në Deçan, mblodhi gjysmë milion qytetarë.

Ndryshe, këtë vit shënon 25 vjetori i Lëvizjes gjithëpopullore për faljen e gjaqeve në Kosovë. (lajmi.net)

YouTube player