Kosova dhe Maqedonia takim për identifikimin e kosovarëve të arrestuar në Kumanovë

Kosova dhe Maqedonia ka nisur shkëmbimin e informatave për identifikimin e shtetasve kosovarë të arrestuar pas ngjarjeve të fundit në Kumanovë, ku forcat policore dhe ushtarake të Maqedonisë u përleshen me armë zjarri me një grup të armatosur.

Lajme

14/05/2015 16:35

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, priti në një takim pune ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe mënyrat për intensifikimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informatave mes dy vendeve.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), thuhet se nga ky takim u konfirmuar se autoritet e të dyja shteteve janë duke punuar që sa më shpjet të bëhet i ditur identiteti i kosovarëve të arrestuar në Maqedoni dhe të mësohet nëse në mesin e viktimave ka edhe kosovarë.

“Autoritetet kosovare dhe ato maqedonase po shkëmbejnë informata në mënyrë që sa më parë të konfirmohet identiteti i shtetasve kosovarë të arrestuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë pas incidentit në Kumanovë, por edhe të përcaktohet nëse në mesin e viktimave ka qytetarë të Kosovës dhe të bëhet identifikimi i tyre”, thuhet në komunikatë.

Zëvendësministri Selimi ritheksoi se autoritetet e Kosovës janë të gatshme që të ofrojnë çdo asistencë për shtetasit e Kosovës në kuadër të ligjit dhe konventave ndërkombëtare.

Selimi shtoi se është e rëndësishme që të dy vendet të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin si dy shtete fqinje dhe rikujtoi se janë mbi 10 marrëveshje bilaterale që janë afër finalizimit dhe nënshkrimit nga autoritetet në Prishtinë dhe Shkup.

Gjatë të shtunës dhe të dielës në Kumanovë, ka pasur një përleshje me armë zjarri mes forcat policore dhe ushtarake të Maqedonisë dhe  një grupi të armatosur, ku mbeten të vrarë 22 persona.