KOSID kundër shtrenjtimit të rrymës

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm - KOSID ka kundërshtuar fuqishëm rritjen e çmimit të energjisë.

Lajme

08/08/2014 18:18

KOSID kundërshton çdo tentativë për rritjen e çmimit të importit të energjisë, me pretekstin e situatës së përkohshme të krijuar, meqë, sipas tyre, një gjë e tillë do të ndikojë negativisht në shportën e konsumatorit kosovar.

“Konsumatorët nuk duhet ngarkuar për dështimet e palëve përgjegjëse dhe se shfrytëzimi i situatës së krijuar për përfitime biznesore është jo parimore dhe e dëmshme për qytetarët, për të cilët energjia është tejet e shtrenjtë edhe tani. KOSID vazhdimisht ka kërkuar që të implementohen masat e eficiencës dhe të ketë planifikim afatgjatë dhe jo masa të përkohshme të cilat kanë ndikim tejet të madh për qytetarët siç do të ndodhë po që se ZRRE aprovon kërkesën e KEDS” , thuhet në një komunikatë.

Për këtë KOSID u takua me ushtruesin e detyrës së drejtorit të KEDS, George Karagutoff dhe anëtarin e bordit ekzekutiv Mesut Serhat Dinc, ku temë kryesore e diskutimit ishte gjendja e tanishme energjetike si dhe kërkesa e KEDS ndaj ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i rritjes së importit.

Çmimi i energjisë elektrike u shtrenjtua për 4.57% në korrik të këtij viti, ndërsa vetëm një muaj më pas, KEDS ka kërkuar tek ZRRE të bëjë shqyrtimin e kostos së importit si pasojë e krizës energjetike të krijuar pas aksidentit në Kosovën A. Kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike u konfirmua edhe nga vet zyrtarët e KEDS në takimin e sotëm, të cilët një gjë e tillë e arsyetojnë me faktin se ekziston mungesë e energjisë në vend dhe se ketë rritje të energjisë së importuar të nuk e kishin planifikuar më parë.