Korridori 8 quhet Nënë Tereza

Rruga më e rëndësishme në Maqedoni që lidh Shkupin me Bullgarinë dhe Shqipërinë është pagëzuar me emrin e humanistes së njohur shqiptare Nënë Tereza.

Lajme

25/11/2013 13:40

Autoritetet në Maqedoni kanë vendosur që rruga e njohur si “Korridori 8” të pagëzohet me emrin e nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

Tashmë është vendosur edhe tabela rrugore me emrin e humanistes së njohur shqiptare në fshatin Gllumovë të komunës së Sarajit.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, pati deklaruar kohë më parë për gazetën indiane “Times of India” për pagëzimin e kësaj rruge me emrin e Nënë Terezës.

“Një nga rrugët më të rëndësishme në rajon, me gjatësi prej 300 km do të emërtohet Nëna Terezë dhe kjo rrugë e lidh Shkupin me Bullgarinë dhe Shqipërinë, një pjesë e së cilës do të duhet të përfundojë në vitin 2017″, është shprehur kryeministri Gruvski, raporton “Albeu.com”.

Emri i Nënë Terezës është i njohur në Shkup, pasi një sërë institucionesh e mbajnë emrin e saj.

Kështu Qendra Klinike në Shkup mban emrin Nënë Tereza, Spitali i Gjinekologjisë gjithashtu, si dhe Shtëpia Përkujtimore në pjesën qendrore të kryeqytetit.

Projekte të tjera të cilat do të mbajnë emrin e ‘Nënë Terezës’ duket se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mësohet se biznesmeni indian Subrajta Roj, ka paralajmëruar se një përmendore gjigande,18 metra e lartë, e cila do të ngrihet në sheshin e Shkupit, do të mbajë emrin e nobelistes shqiptare për paqen.

Po ashtu është paralajmëruar edhe një qendër për përkujdesje të të moshuarve në periferi të kryeqytetit maqedon.

(Kosovapress, lajmi.net)