Korfuz, një tjetër anije me 700 persona në bord, gjendet në rrezik

Një tjetër anije me 700 pasagjerë, dyshohet se është në rrezik. Sipas informatave jo zyrtare, thuhet se në bordin e anijes ka persona të armatosur.

Lajme

30/12/2014 13:51

Pa u mbyllur ende tragjedia dhe tmerri i tragetit “Norman Atlantic”, ku veç pasagjerëve që humbën jetën, viktima ranë edhe dy marinarë shqiptarë, një tjetër alarm SOS është marrë nga Korfuzi.

Sipas informacioneve të para, një anije pasagjerësh me 700 persona në bord, ndodhet në rrezik dhe ka dhënë sinjalin për ndihmë.

Drejt zonës ku supozohet të jetë anija me 700 persona janë nisur nga Greqia helikopterë “Super Puma”.

Ndërkaq në një informacion të pakonfirmuar zyrtarisht thuhet se në bordin e anijes në rrezik ka njerëz të armatosur.

Këtë informacion e kanë dhënë vetë pasagjerët e anijes.

Ndërkaq, televizioni shtetëror grek, NERIT, nuk ka dhënë shumë detaje, përveç se “imigrantë ilegalë” janë përfshirë në situatën në anije.

 KOHA.net