Konsensus politik për 8 qershorin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është arritur një konsensus politik për shpërbërjen e Kuvendit, dhe të shkohet në zgjedhje më 8 qershor.

Lajme

06/05/2014 14:12

Këto komente Thaçi i ka bërë pas një takimi të mbajtur sot në mes të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe liderëve të partive kyresore politike.

“Jemi pajtuar që shpërbërja e Kuvendit të bëhet në seancën e nesërme, ndërsa orientimisht jemi dakorduar që do të diskutojmë për datën e 8 qershorit si mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”.

Presidentja Atifete Jahjaga, tha se është e informuar për hapat që do të merren në vijim për zgjedhjet e parakohshme.

“Si Presidente e Republikës, unë do të vazhdoj të jem faktor i unitetit politik në vend, dhe të gjitha veprimet e mija do të jenë ashtu siç parashihen konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Edhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është i pajtimit që zgjedhjet të mbahen në pjesën e parë të muajit qershor, përkatësisht më 8 qershor.

“Ne sot jemi takuar me Presidenten e Republikës së Kosovës lidhur me qëndrimet tona për zgjedhjet. Shprehëm mendimin tonë se Kuvendi është jofunksional dhe mendojmë se zgjidhja më e mirë është që të mbahen zgjedhjet përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës”.

“Si Lidhje Demokratike, ne jemi pajtuar që t’i bashkëngjitemi iniciativës, dhe që nesër të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit dhe të pajtohemi që zgjedhjet të mbahen në fillim të qershorit”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se forma për të shkuar në Zgjedhje të parakohshme Parlamentare, duhet të bëhet përmes mocionit të mosbesimit për Qeverinë aktuale ose përmes shkarkimit të Kuvendit.

“Kemi biseduar për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje dhe për variantet se si të bëhet një gjë e tillë”.

“Janë disa variante për të shkuar në zgjedhje, është dorëheqja e Kryeministrit nëse ndodhë, është mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë që ne e favorizojmë dhe është seanca e shpërndarjes së Parlamentit”.

“Pozicioni i AAK-së është që jemi për zgjedhje në pjesën e parë të qershorit, por mund të vije deri tek opsioni i mocionit nëse nuk bëhet me shpërbërje. E lëmë të hapur mundësinë për këtë gjë”.

Ndërsa, AKR në këtë takim është përfaqësuar nga Zv. Presidentja, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj, AKR nuk është e pajtimit që të shkohet në zgjedhje, pa pasur qëndrueshmëri poltike.

“AKR ka shprehur sot brengosjen për shkuarjen e shpejt në zgjedhje. Deri më tani nuk kemi informacion të mjaftueshëm se do të kemi proces zgjedhor kredibil”.

“Mbesim pranë qëndrimit që prej një situate që shihet se nuk është e qëndrueshme të kalojmë në një situatë tjetër. Prandaj, duhet një garancë që të kemi një proces të mirë zgjedhor”.

“Jemi për një zgjidhje që do të funksionojë e jo për një zgjidhje që të hyhet në një situatë për të hyrë në një situatë tjetër”.