Konjufca: Nuk do të lejojmë vazhdimin e seancës as pas pauzës (Video)

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, menjeherë pas ndërprerjes së seancës, pas hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, në një deklarim për media, ka thënë se do të vazhdojnë bllokimin e punës së Kuvendit, deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi.

Lajme

23/10/2015 16:54

“Do t’i përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të parandaluar këtë seancë edhe pas pauzës, do ta shihni pas një ore”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa i pyetur se si do të reagonin nëse do të ndërhynte policia, Konjufca ka thënë se ky do të ishte një mashtrim nga kryeparlamentari, pasi ai ka premtuar se nuk do ta lejojë këtë.

Konjufca ka thënë se Kadri Veseli me presidenten Atifete Jahjaga po i kontribuojnë tensioneve në rritje dhe thellimin e situatës, nëpërmjet thirrjeve të seancave.

Sipas tij, edhe shoqëria civile ka bërë thirrje që të mos ketë seanca, pasi kjo do ta përshkallëzonte situatën.

“Qeveria nuk e ka marr parasysh asnjë argument të opozitës duke e larguar opozitën nga secilin vendim. Jemi të vendosur dhe nuk lëshojm pe derisa të anulohen marrëveshjet. Këta nuk janë për ta mbrojtur shtetin dhe me këta ka përfunduar argumenti dhe diskutimi”, ka thënë Konjufca. /lajmi.net

YouTube player