Konjufca: Jahjaga të pozicionohet me VLAN-in

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se presidentja Jahjaga s’po e luan rolin e saj ashtu siç përshkruhet në Kushtetutë.

Lajme

06/10/2014 18:46

Ai në emisionin “InfoMagazine” në KlanKosova ka thënë se presidentja Jahjaga duhet të pozicionohet në çelësin e zgjidhjes së ngërçit politik.

E, çelësi, sipas Konjufcës, është shumica parlamentare, pra blloku VLAN.

“Zonja Jahjaga ende s’po e luan rolin e presidentes ashtu siç përshkruhet roli i saj në Kushtetutë. Roli i saj është më shumë se të bëjë ftesa. Roli i saj është të pozicionohet në atë që është çelësi i zgjidhjes së ngërçit e ai është shumica parlamentare”.

“Aty ku voton shumica, me e përkthy në vota, është edhe shumica e popullit”.

Konjufca ka thënë se VLAN do që ta bindë PDK-në të mos e uzurpojë shtetin, ndërsa këtë ata do ta bëjnë me argumente dhe politika bindëse.

“Kjo parti që s’dëshiron ta lëshojë në asnjë mënyrë pushtetin e mban peng gjithë shtetin e Kosovës dhe thotë se pushteti është i rezervuar vetëm për partinë e parë nga zgjedhjet”, ka thënë Konjufca.

“Ajo po thotë se e ka të drejtën ta formojë edhe qeverinë, por as për kryeparlamentarin s’i kanë numrat. Nëse s’i kanë numrat s’mund ta zgjedhin as kryeparlamentarin as ta bëjnë qeverinë”, shtoi deputeti i VV-së.

“PDK po e mban peng shtetin vetëm pse ka qëlluar kryesuesja më e vjetër nga PDK”.

Sipas Konjufcës, ajo (Flora Brovina) s’ka pasur të drejtë ta ndërprejë seancën në momentin që partia e saj ka dështuar. Askund nuk shkruan se në momentin që me herë të parë nuk zgjidhet kryeparlamentari të shkohet në shtëpi”, ka thënë Konjufca.