Konfiskohen librat shqip në Preshevë

Aksioni policor në shkollën “Zenel Hajdini” të këtij fshati ka përfunduar në orët e pasdites kur Inspektorati serb mori të gjitha librat, rreth pesë mijë copa, sa ishin të vendosur aty.

Lajme

08/11/2013 19:04

Policia serbe ka konfiskuar sot në fshatin Raincë të Preshevës librat shqip të dhuruara nga Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë.

Aksioni policor në shkollën “Zenel Hajdini” të këtij fshati ka përfunduar në orët e pasdites kur Inspektorati serb mori të gjitha librat, rreth pesë mijë copa, sa ishin të vendosur aty.

Lidhur me këtë intervenim të inspektorëve serbe ka reaguar edhe  Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës, sipas të cilit “nxënësit, drejtori dhe mësuesit e asaj shkolle janë terrorizuar nga sjellja e inspektorëve serb të cilët po vazhdojnë të qëndrojnë atje…” transmeton “Presheva Jonë”.

“Inspektorët serbw me urdhër të prokurorisë kanë hyrë në shkollën fillore “Zenel Hajdini” të fshatit, Raincw të komunës së Preshevës, për t’i konfiskuar librat prej klasës së parë deri në klasën e 4’të”, ka dekalruar Mustafa.

Sipas kyretarit të Preshevës “ata arsyetojnë veprimet e tilla lidhur me atë se librat nuk janë të harmonizuara me plan programin e ministrisë së arsimit të Serbisë. Pra janë libra të plan programit të Kosovës”.

Mustafa po ashtu ka shtuar se deri më tani nuk ka folur me asnjë institucion serb pasi që sipas tij me ta nuk mund të flitet. “Ata janë jashtokësorë dhe me ta nuk mund të flitet. “Nuk ka bisedime me serbët. Ku ka ma tmerr se sa në shekullin e 21-të, të terrorizohen fëmijët dhe mësuesit dhe të ndalohet mësimi. Ku ka ma tmerr se sa tu merren fëmijëve librat nga dora”, ka nënvizuar Mustafa.

Ai ka apeluar te Qeveria e Kosovës që të marrë qëndrim sa më të shpejtë rreth kësaj çështje e poashtu edhe të ndërprenë bisedimet me Serbinë.

Pas këtij lajmi ka reaguar menjëherë edhe Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku e cila ka thënë se do ta ngrisë këtë çështje urgjentisht në instancat ndërkombëtare.

“Para pak ditësh kam qëndruar në Preshevë dhe kam parë me sytë e mi shkallën e shtypjes dhe mungesës së investimeve dhe zhvillimi atje. Komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës është padyshim komuniteti më i diskriminuar në Evropë dhe qeveria e Kosovës do ta ngrisë menjëherë dhe pa vonesë këtë çështje në instance ndërkombëtare”, ka thënë Ministrja Çitaku.