Konferencë në Gjermani, për tërheqjen e investimeve nga diaspora

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka prezantuar sot në Gjermani para bashkëatdhetarëve, të gjitha mekanizmat që kjo ministri ka filluar për të tërhequr dhe për të lehtësuar të gjitha investimet që vijnë nga diaspora në Kosovë.

Lajme

19/03/2015 18:39

Në këtë konferencë, e cila është organizuar nga programi KOSME, ministri Murati tha se kjo ngjarje shërben që bizneset të krijojnë njohje mes vete, por dhe që të tërhiqen investime për në Kosovë.

“Ministria e Diasporës si shtyllë kryesore të punës së vet ka bashkëpunimin me afaristët nga diaspora. Vetë krijimi i rrjetit të bizneseve ka për qëllim që me anë të këtij interaksioni të njihen bizneset mes veti, të bëjnë biznes së bashku, të gjejnë rrugën e vet për investime të kanalizuara në Kosovë por edhe tërheqja e investimeve të tjera të huaja në Kosovë”, tha Murati.

Murati, po ashtu, theksoi se Ministria e Diasporës, ka si projekt edhe ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar në diasporë.

Murati gjithashtu përmendi programin e përbashkët për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, marrëveshje që pritet të nënshkruhet të hënën mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu u paralajmërua edhe nënshkrimi i marrëveshjeve për organizimin e përbashkët të aktiviteteve kulturore me Republikën e Shqipërisë si dhe hapjen graduale të Qendrave të përbashkëta Kulturore në diasporë.

Në këtë konferencë, së bashku me ministrin Murati, punën e tyre e prezantuan edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hikmete Bajrami, z. Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, z. Kujtim Dobruna nga ECIKS dhe kryetari i nderit i Unionit të Bizneseve Shqiptarë në Diasporë, z. Lazim Destani.