Komuna e Prishtinës shpërblen me tender kompaninë falsifikatore /DOKUMENT

Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës e ka realizuar një tender kundërligjshëm.

Lajme

19/04/2018 11:36

Prokurimi i Prishtinës e ka shpërblyer me tender kompaninë “Pastor Kosova” për tenderin, “Blerja e pajisjeve hidraulike për AKRR, gypa-zorrë dhe ekstrakt-shkumë për BPZ-Prishtinë”, i cili ka është në vlerë prej 41.266,42 euro.

Por, lajmi.net ka gjetur se tenderi është i jashtëligjshëm, pasi kompania “Pastor Kosova” Sh.p.k është e përjashtuar nga prokurimet publike deri në tetor të vitit 2018.

Me datë 3 prill 2018, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka aprovuar si të bazuar një ankesë të Korporatës Energjetike të Kosovës për ta penalizuar këtë kompani për 6 muaj prej prokurimeve publike, pasi ka ofertuar me autorizim të falsifikuar dhe ka ofruar të dhëna të rreme për një tender në KEK.

Kjo kompani kishte garuar në KEK për tenderin “Furnizim me pajisje personale mbrojtëse lot 2”. Pasi kishte fituar loti 1, në rivlerësim kompania “Pastor Kosova” ishte rekomanduar edhe për lot 2. Por kompani tjetër garuese “Medicom”, ishte ankuar në OSHP se kompania në fjalë kishte ofertuar me disa dokumente të falsifikuara. Me këtë rast, OSHP e kishte angazhuar eksportin e vetë dhe kishte gjetur që kjo kompani kishte falsifikuar autorizimin duke ofruar të dhëna të rrejshme.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës e ka shpërblyer këtë kompani me tender me datë 12.04.2018, dhe kontrata është planifikuar të nënshkruhet me datë 23 prill. /Lajmi.net/

Më poshtë mund të shihni vendimin e OSHP-së të datës 4 prill dhe tenderin e Prishtinës të datës 12 prill.

tenderi-2