Komuna angazhon dhjetëra veta me kontratë mbi vepër

Sipas një raportimi të bërë në Kallxo.com, Komuna e Deçanit ka punësuar dhjetëra persona me kontratë mbi vepër.

Lajme

28/05/2017 12:13

Këtë e thonë edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Hyrije Dobruna, asambliste nga radhët e kësaj partie opozitare, thotë se vetëm në muajin e fundit janë angazhuar rreth 30 persona me kontratë mbi vepër.

“Dega e LDK-së në Deçan është shumë e shqetësuar për këtë ras. Edhe ne jemi në dijeni që vetëm dy javët e fundit janë marrë diku 30 persona me kontratë mbi vepër”, tha Hyrije Dobruna.

E zëdhënësja e Komunës së Deçanit, Yllarta Thaçi, e pranon se ka persona të angazhuar me kontratë mbi vepër nga Komuna, por e mohon se ata janë angazhuar gjatë muajit të fundit.

“Nuk ka të bëjë me persona këto javët e fundit. Këta persona ka kohë që janë me kontratë mbi vepër. Këto kontrata janë gjashtëmujore. Me kalimin e gjashtëmujorit të kontratës së nënshkruar atyre edhe do ju përmbyllen ato kontrata.Nuk kam ndonjë numër të saktë të cilin mund të ju paraqes për mediumin tuaj”, tha ajo për Kallxo.com.

Zëdhënësja thekson se personat me kontratë mbi vepër janë angazhuar në sektorë të ndryshëm ku nevojiten shërbime më të mira dhe se për ta janë ndarë edhe mjetet nga buxheti komunal.

“Buxhetin komunal nuk e ngarkojnë për shkak së është bërë planifikimi buxhetor me kohë. Pra përshkrimi i librave amë, administrata ka ndarë (mjete) nga mallrat dhe shërbimet, njëkohësisht sistemimi i arkivës, po ashtu që i takon administratës. Qendra informative ka ndarë, drejtoria e zhvillimi ekonomik, po ashtu edhe ministria e financave ndanë buxhet për personat me kontratë mbi vepër të cilat do punojnë tek falja e borxheve”, tha zëdhënësja e Komunës së Deçanit.

Por, asamblistja e LDK-së mendon se këto punësime ndërlidhen me fushatën zgjedhore.

“Po këta merren pikërisht për me zhvilluar fushatë edhe merren për shkak të votës. Zakonisht i etiketojnë njerëzit të cilët nuk i kanë 100 për qind  votues të tyre, ata i marrin me kontratë në vepër me ja kushtëzu edhe votën”, tha ajo.

Përfaqësues të subjekteve të tjera opozitare, PDK e Vetëvendosje, thanë se nuk kanë informacione zyrtare rreth numrit të të angazhuarve me kontrata mbi vepër nga Komuna.