Kompania turke s’e respekton festën e Flamurit

Kompania turke “Limak-Çalik”, e cila vite më parë ka privatizuar distribucionin e energjisë elektrike në Kosovë, nuk do t’i lejojë punëtorët e KEDS-it të pushojnë për Festën e Flamurit, më 28 nëntor.

Lajme

27/11/2016 08:14

Moslejimi i punëtorëve të kësaj kompanie që të pushojnë për 28 Nëntor është në kundërshtim me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka vendosur që të hënën të pushojnë punëtorët në vend.

Sipas kryeministrit Isa Mustafa, për shkak të rëndësisë së madhe që ka kjo ditë për shqiptarët të hënën do të jetë ditë pushimi në Kosovë.

“Vetëm punëtorët e kompanisë turke do të punojnë të hënën për Festën e Flamurit, ndërsa të gjithë të punësuarit tjerë do të pushojnë. Nuk e kuptoj se ende po vazhdon hakmarrja e turqve ndaj shqiptarëve për Festën e Flamurit, njëjtë siç kishte ndodhur para më shumë se 100 vjetëve, përkatësisht më 28 nëntor 1912 kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë”, thotë për “Zërin” një punëtor i KEDS-it, i cili ka preferuar të flasë në kushte anonimiteti.