Komisioni për Stabilizim Asociim BE-Kosovë takohet më 20 prill

Përgatitjet për takimin e tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, i cili do të mbahet më 20-21 prill në Prishtinë, ishte temë e debatit të sotëm gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim.

Lajme

27/03/2017 16:20

Takimi është kryesuar nga kryetari i  këtij komisioni, njëherësh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ndërkaq, e pranishme ishte edhe Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë /Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së, Apostollova, pasi shprehu përkushtimin e saj për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Zyrës që ajo udhëheqë dhe Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kosovë të Kuvendit të Kosovës, vuri  në spikamë rëndësinë e përfaqësimit sa më unik të Kosovës në të gjitha forumet ndërkombëtare.

Ajo vlerësoi se, Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, është  organi më i rëndësishëm për implementimin e marrëveshjes së MSA-së, andaj, nga anëtarët e tij kërkoi angazhim edhe më të madh, në mënyrë që mbikëqyrja e dikastereve qeveritarë që kanë për obligim angazhimin për jetësimin e marrëveshjes së MSA-së,  të jetë sa më e efektshme.

Anëtarët e komisionit deklaruan se angazhimet e tyre do të jenë në frymën e një bashkëpunimi të brendshëm e në interes të vendit, transmeton Klan Kosova.