Kodheli: NATO të hapë një faqe të re partneriteti me Kosovën

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli deklaroi sot se Shqipëria është besnike ndaj Aleancës së Veriut, teksa njoftoi dhe një nisëm të re për t’u përballur me fenomenin e luftëtarëve të huaj, ku tha se vendi ynë ka ndërmarrë nismën për të krijuar qendrën e ekselencës kundër luftëtarëve të huaj.

Lajme

29/05/2016 11:42

 

Këtë deklaratë, Kodheli e bëri gjatë çeljes së punimeve në ditën e dytë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Tiranë. Ajo tha se kriza e refugjatëve dhe terrorizmi janë sfidat më të mëdha me të cilat po ndeshet Aleanca.Sipas ministres së Mbrojtjes, kurimi i këtij problemi arrihet përmes integrimit.

“Konfliktet mund të parandalohen lehtësisht në rast se integrimi lehtësohet. Por, siç dihet shumë prej vendeve tona kanë qëndrime të ndryshme për probleme të ndryshme. Në Ballkan, shumë vende kanë qëndrueshmëri të brishtë politike e jo vetëm. Rruga drejt BE-së është e ndërlikuar dhe pikërisht për shkak të paqartësive politike, problemeve ekonomike dhe sigurisë”, tha Kodheli.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria mbështet integrimin e Mali të Zi në NATO.

“Integrimi në NATO i Ballkanit Perëndimor është mjaft i rëndësishëm. Prania e Alencës në rajonin tonë forcon sigurinë dhe afron më shumë vendet mes tyre dhe duam që Mali i Zi të mos jetë i fundit në integrim, pasi edhe Bosnja dhe të tjera vende duhet të vijojnë në këtë rrugë”, tha Kodheli.

Ministrja bëri të ditur se në Shqipëri besojmë fort në rolin e NATO-s. “

Gjithëpërfshirja është domosdoshmëri. Buxheti i mbrojtjes ka pësuar 12% rritje në terma real krahasuar me një vit më parë. Jemi besnikë ndaj vendimarrjeve të përbashkëta të Uellsit. Kemi qenë konsistent në kontributet tona. Tre shtyllat kryesore në të cilat do të vazhdojmë kontributin janë: do të rrisim mbështetjen në Afganistan, do të ruajmë mbështetjen në Kosovë, dhe Task Forca e gatishmërisë së lartë do të ketë këmbësori nga vendi ynë.Jemi në proces krijimi të hapësirave ligjore për të mbështetur koalicionin në terren për luftën ndaj ISIS, si dhe në luftën në detin Egje për krizën e refugjatëve. Ndihma e Shqipërisë shtrihet në projektimin e stabilitetit përtej kufijve të NATO-s. Personeli po ndihmon në Ukrainë e Gjeorgji”, tha Kodheli.

Në kuadër të seksionit të pyetje-përgjigjeve, Kodheli tha se “Shqipëria do të mbështesë me një anije operacionet e NATO-s në detin Egje, ndërsa njoftoi se së shpejti do të hapet zyra e atasheut ushtarak britanik në vendin tonë.