Kisha serbe: S’guxojmë ta flijojmë Kosovën për Evropën

Kisha ortodokse serbe ka porositur se “përkrah rrugën evropiane të Serbisë”, porse shteti s’guxon të lejojë që për arritjen e këtij qëllimi “të flijojë Kosovën”.

Lajme

15/10/2015 21:52

“Qëndrimi i kishës është i qartë dhe i mirënjohur: duam që Serbia të vazhdojë rrugën e vet evropiane dhe këtu ka përkrahjen tonë të plotë, por s’guxojmë të heqim dorë nga djepi i serbizimit, nga populli ynë që jeton atje, nga reliktet tona. S’guxojmë ta flijojmë Kosovën për Evropën, sepse ajo s’ka çmim”, u ka deklaruar gazetarëve patriarku serb Iirinej pas takimit me kryeministrin Aleksandar Vuçiq.

Ai ka shtuar se takimi ka qenë konstruktiv dhe se me kreun qeveritar serb janë marrë vesh që për gjithçka të merren vesh bashkë.

Kryeministri serb dhe anëtarë të kabinetit të tij kanë mbajtur sot një takim me patriarkun dhe priftërinj të tjerë serbë. Vuçiq, sipas raporteve, i ka njoftuar krerët fetarë “me të gjitha ndodhitë në 100 ditët e fundit – që nga tentimi që me rezolutë të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara serbët të shpallen komb gjenocid, deri te raundi i fundit i bisedimeve në Bruksel”./K. P.