Këshilltarja e Veselit: Jemi ndryshe nga turqit, ne jemi shqiptarë

Arbana Xharra, këshilltarja e Kadri Veselit ka publikuar në facebook një letër që e kishte shkruar vitin e kaluar për ambasdaoren turke në Kosovë.

Lajme

31/03/2018 19:12

Shkrimin e saj ajo duket se e ka ndërlidhur pas kërcënimeve që Erdogan ia bëri kryeministrit Haradinaj.

Në shkrimin e Xharrës thuhet se shqiptarët e turqit nuk kanë kulturë të përbashkët.

“Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët me turqit. Jemi ndryshe – shqiptarë. Histori të përbashkët po, kemi: si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne”, thuhet në postimin e Xharrës në facebook.

Lexo shkrimin e plotë:

Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët me turqit. Jemi ndryshe – shqiptarë. Histori të përbashkët po, kemi: si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne. Kështu na mësojnë faktet dhe historiografitë e shumta përveç asaj turkes, nesoosmanes që jeni duke u përpjekur ta impononi.

Ne nuk mohojmë faktin se ju investoni ku të mbërrini. Po ta bënit këtë pa synimin e turqëzimit dhe ndikimit që edhe ne të kthehemi në sisteme autokratike, siç e praktikoni në vendin tuaj, do të ishim miqtë më të mëdhenj të botës ndoshta, por jo, ju e bëni për të na bindur ne se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu. Është e drejta jonë, ashtu si e çdo populli tjetër që ta përpunojë historinë e tij sipas fakteve. Nuk është e rastësishme sipas infiltrimit tuaj (Tika dhe organizata tjera) në strukturat religjioze, arsimore e politike të vendit nisi edhe dukuria e mohimit publik dhe fyerjes së personaliteteve konstituive të identitetit tonë që e ruajmë me fanatizëm që nga lashtësia e deri më sot.

Image result for arbana xharra and kadri veseli 2018