Kërkohet që në Parlament të diskutohet për vdekjen e 3-vjeçares në Prizren

Organizata jo qeveritare 'Ec Ma Ndryshe' ka kërkuar që të merret nisma brenda Kuvendit të Kosovës për të përfshirë në rendin e ditës së seancës së ardhshme parlamentare rastin e tre vjeçares Xheneta Gashi, e cila humbi jetën javën e kaluar në Prizren.

Lajme

17/06/2016 16:26

“Kërkojmë që Kuvendi i Kosovës, konform mandatit që ka, të ftojë qeverinë e Kosovës dhe institucionet tjera në përgjegjësi për këtë tragjedi.

Ne si organizata të shoqërisë civile kemi publikuar qëndrimin tonë dhe po angazhohemi për të kërkuar llogari nga institucionet lokale dhe qendrore për vdekjen e tre vjeçares Xheneta Gashi. Ne i kemi dy kërkesa: dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe dy ministrave të qeverisë së Kosovës, atij të kulturës dhe atij të planifikimit hapësinor, si dhe ndjekjen penale të të gjithë përgjegjësve institucional që me mosveprimin e tyre shkaktuan tragjedinë”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Ata kërkojnë që rasti i neglizhencës institucionale që prodhoi tragjedinë e javës së kaluar të diskutohet si pikë e veçantë e rendit të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

“Për këtë, ju ftojmë që sa më parë të merrni këtë nismë për debat parlamentar për tragjedinë e Prizrenit”, përfundojnë ata./lajmi.net