Kërkesa e PDK-së në Kushtetuese pritet të dorëzohet të premten

Partia Demokratike e Kosovës pritet që nesër (të premten) t'ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë dhe kushtetushmërisë së seancës konstituive të së enjtes të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u bë zgjedhja e Isa Mustafës për kryeparlamentar. 

Lajme

17/07/2014 23:35

Një burim i lajmi.net brenda PDK-së, njoftoi sonte se ekspertët ligjorë të kësaj partie janë duke e hartuar kërkesën për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e seancës së sotme konstituive, në të cilën, pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesja e seancës dhe largimi i deputetëve të PDK-së, ndodhi zgjedhja e kryesueses së re të seancës dhe zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Sipas këtij burimi, kërkesa për Gjykatën Kushtetuese pritet të dorëzohet nesër (të premten).